AAK-ja në objekt të Ministrisë së Bujqësisë, e Ministria me qira

Një objekt katërkatësh i Ministrisë së Bujqësisë, prej pas luftës, është kthyer në seli të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), subjekt politik që drejtohet nga kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj. E pikërisht në mandatin e Qeverisë Haradinaj, Ministria është zhvendosur nga ndërtesa e ish-Komitetit, në një pronë private për të cilën paguan qira të lartë.

Objekti që e shfrytëzon AAK-ja është i Institutit Bujqësor të Kosovës, i cili funksionon nën kupolën e Ministrisë. Ka bodrumin, katin përdhes dhe dy kate të tjera, me një hapësirë prej rreth 1 mijë metrash katrorë. Ai ndodhet në lagjen “Ulpiana” të Prishtinës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Pjesë të madhe të hapësirës AAK-ja mban me një qira fare simbolike, 2.5 euro për metër katror. Kësisoj, kontrata me këtë institucion është 2450 euro për muaj.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkaq, Ministria paguan më shumë se shtatë fish më shtrenjtë për qiranë ku e ka dislokuar këtë vit stafin. Qiraja që nga shtatori i sivjetmë Ministria paguan për metër katror është 18 euro. Ndërkaq për gjithë hapësirën e kontraktuar, ajo paguan secilin muaj 28.080 euro bruto. Paratë i shkojnë kompanisë “A2 GROUP”, e cila është pronare e hapësirës ku është vendosur Ministria, në ish-ndërtesën “Ramiz Sadiku”, që ndodhet në lagjen “Lakërishte” në kryeqytet.

Kjo nuk është e vetmja qira.