Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se në një vend normal greva nuk prek rastet e jetës.
Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se mjekët sot kaluar kufirin duke refuzuar pacientët me sëmundje kanceri të cilët do t’i nënshtroheshin kimioterapisë.
“Hallegjinjë me sëmundje kanceri, refuzohen për kimioterapi. Në ftohtësinë më të madhe njerëzore, kthehen mbrapshtë si mall. Arsye u thonë është greva. Ec e shpjegoja dikujt që përballet me jetë arsyet e tua për grevë. Në asnjë vend normal greva nuk prekë rastet e jetës. Sepse greva s’mund të mundë njerëzoren. Është megjithatë një kufi. Sot, të dashtun mjekë, kaluat këtë kufi”, ka thënë ai.
Abdixhiku thotë se mjekët kanë të drejtë të mbajnë inat e të protestojnë, pasi thotë se i mashtruan duke luajtur me dinjitetin e tyre.
“Ju kanë dhënë një ligj të padrejtë, të rrëzueshëm – e tash, mu atëherë kur u duhet destabilitet, ju përdorin si mjet. Por adresën e mllefit e keni gabim. Më së paku në këtë adresë i gjeni pacientët me kancer; të cilët juve ju shohin si heronj të fundit, e ato barna që i presin me javë rend si shpresë për më shumë jetë. E di këtë punë vet. Kam kaluar nëpër korridoret e tilla me familjarë më shpesh se ç’mund të kisha imagjinuar ndonjëherë”, thotë ai.