Ditëve të fundit në të gjithë vendin është ngritur alarmi për cilësinë e lartë të ndotjes së ajrit. Për gjithë këtë situatë mjekët kosovarë janë duke alarmuar për dëmet të cilat mund t’ia sjellë shëndetit ajri i ndotur. Madje apelohet që pleqtë e fëmijët në këto ditë të dalin nga shtëpia e madje mos t’i hapin as dritaret.
Ndërkohë, institucionet, nuk kanë bërë thuajse asgjë për parandalimin e ndotjes. Nga Ministria e Mjedisit po thonë se në qershorin e vitit të kaluar kanë përgatitur Planin e Veprimit për Cilësinë e Ajrit. Mirëpo i njëjti ende nuk është miratuar në Kuvend. E Shpend Ahmeti i komunës së Prishtinës, propozon që kjo punë të ngritët si shqetësim në nivelin qendror.
Në stinën e dimrit kosovarëve tradicionalisht u vështirësohet frymëmarrja. Por pavarësisht se Kosova me vite ballafaqohet me një problematikë të tillë, institucionet e vendit po bëjnë pak për ta përmirësuar situatën. Megjithatë, ajri i ndotur, i rrezikshëm për shëndetin mbetet shqetësim për qytetarët si dhe për institucionet shëndetësore që tashmë kanë alarmuar.
Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina dhe disa qytete të tjera si Obiliqi, Mitrovica, Gjilani, Drenasi e Peja, ka një kohë të gjatë që përballen me këtë problem, por alarmi zakonisht ngrihet në vjeshtën e vonë dhe në dimër, kur matësit e nivelit të ndotjes së ajrit kanë marrë më shumë vëmendje.
Vitin e kaluar, në Prishtinë, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së ajrit, për dy ditë, ishte ndaluar qarkullimi i vetura
E ndalimi i qarkullimit të veturave e ndalimi i importimit të atyre të vjetërsuara, po kërkohet edhe sivjet nga ana e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. Ky institucion shëndetësor së fundmi ka alarmuar për shkallën e lartë të ndotjes së ajrit në Kosovë.
Sipas IKShP’së, qyteti i Prishtinës po zhytet në smog që paraqet ndotje të kombinuar të ajrit me gazra dhe aerosolë i cili vërehet gjithandej. Ata kanë thënë që vlera e ndotjes në Prishtinë pritet të jetë disa herë më e madhe se vlerat e normale. Rreziqe këto të cilat sipas Institutit Kombëtar kosovarëve po iu sjellin sëmundje të ndryshme, në mesin e tyre edhe kancerin.
“Urgjentisht të përpilohet një plan veprimi për përmirësimin e cilësisë së ajrit sidomos në kryeqytet. Të reduktohen daljet në qytet dhe ne vendet me ajër të ndotur sidomos në mëngjes dhe mbrëmje e sidomos personat që kanë sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular dhe respirator, fëmijët dhe shtatzënat. Të qëndrohet në shtëpi dhe mos të hapen dritaret për ajrosjen e dhomave derisa zgjasin vlerat e larta”, bënë me dije IKShP.
QKUK alarmon: Mos dilni nga shtëpia kur ka ajër të ndotur
Numri i pacientëve të cilët kryesisht kanë sëmundje kronike është duke u shtuar kohëve të fundit në Klinikën e Pulmologjisë që funksionon në kuadër të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës. Drejtoresha e kësaj Klinike, Rukije Mehmeti në një prononcim për Gazetën Express ka deklaruar veçse ka filluar fluksi i personave që po kërkojnë ndihmë mjekësore si pasojë e përkeqësimeve shëndetësore që po i marrin nga ajri i ndotur.
“”Pacientëve të cilët kryesisht vuajnë nga sëmundjet kronike, në çdoherë iu japim këshilla që mos të dalin nga shtëpia gjatë ditëve kur në vend ka ajër të ndotur. Daljet në këtë ajër automatikisht e përkeqësojnë shëndetin e këtyre pacientëve. Vetëm për nevoja urgjente rekomandohet që këta pacientë të dalin nga shtëpia”, deklaron drejtoresha e klnikës së mushkërive në QKUK.
Ajo tutje deklaron se edhe prindërit të jenë të kujdesshëm në momentin kur fëmijët e tyre i ekspozojnë në ajër të ndotur.
“Ka filluar fluksi i pacientëve të paraqiten në qendrën ambulatore por edhe për qëndrim këtu në klinikën tonë”, thotë ajo.
Ajo apelon që pacientët në këto ditë me ajër të ndotur, sidomos ata me sëmundje kronike, të pijnë lëngje, të marrin vitamina dhe t’i minimizojnë daljet e tyre në ajër të ndotur.
Ministria e Mjedisit: Kemi ndërmarrë disa veprime për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit
Mirëpo nga ana e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kanë deklaruar për Express se në qershorin e vitit të kaluar kanë përgatitur Planin e Veprimit për Cilësinë e Ajrit. Mirëpo i njëjti ende nuk është miratuar në Kuvend.
Megjithatë nga ministria e Mjedisit theksojnë se në lidhje me reduktimin e ndotjes së ajrit, janë ndërmarrë disa veprime të cilat po ndikojnë e do të ndikojnë në përmirësimin e gjendjes.
“Përveç vendimeve që kemi marrë për ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje në shkolla dhe në objektet e institucioneve publike, ndalimin e dhenies falas të thëngjillit për punëtorët e KEK-ut, ne kemi bërë kërkesa të vazhdueshme që ministritë e linjës të kryejnë përgjegjësitë që kanë në reduktimin e ndotjes së ajrit”, thuhet në përgjigjen e zyrtarëve të ministrisë dhënë Expressit.
Komuna e Prishtinës: Po punojmë për gjetjen e një zgjidhjeje
Shifra alarmante të ndotjes së ajrit ka pasur gjatë dy ditëve të fundit në Prishtinë. Kreu i kësaj komune, Shpend Ahmeti, përmes një postimi të gjatë në Facebook, ka treguar për punët që cilat i ka kryer komuna e të cilat megjithatë nuk kanë arritur që ta ndalin ndotjen e ajrit.
Ai ka sqaruar se gjatë këtyre ditëve Komuna do të zhvillojë takime me njohës të kësaj problematike për të dalë me një version tjetër se di të parandalohet ndotja.
“Këto ditë, po zhvillojmë takime me palë të interesit por edhe vakumi institucional po krijon telashe. Shpresojmë që sa më shpejtë të kemi mundësinë që me nivelin qendror të koordinojmë masat afatshkurte dhe afatmesme”, thotë Ahmeti.
Vetëvendosje: Ambienti nuk ka qenë asnjëherë sferë e interesit e qeverive të kaluara
E ndërkohë nga partia fituese e zgjedhjeve të funtit në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, po deklarohen se mjedisi nuk ka qenë sferë e interesit të politikave, rrjedhimisht nuk ka pasur as alokim adekuat buxhetor. Deputeti i legjislaturës së ardhshme nga radhët e kësaj partie, Hajrulla Çeku po thotë se veprimet e Ministrisë së Mjedisit kanë qenë të izoluara dhe kanë dështuar të trajtojnë problematikën mjedisore me qasje holistike.
“Rregullimi i paramentrave mjedisorë, ku bën pjesë edhe cilësia e ajrit kërkon qeveri që merr përgjegjësi në nivelin më të lartë. Të gjitha politikat dhe sektorët e qeverisjes duhet të shfaqin ndjeshmëri të lartë mjedisore në hartimin dhe zbatimin e politikave dhe projekteve”, ka thënë Çeku për Express.
Ai ka deklaruar se paralelisht me ndaljen e aktivitetit degradues të hidrocentraleve dhe guroreve, institucionet duhet të punojnë në masat për efiçiencë energjetike.
“Izolimi termik i ndërtesave, zëvendësimi i pajisjeve të vjetra elektro-shtëpiake, kapacitetet e ripërtëritshme, mënjanimi i humbjeve në sistem dhe masat për reduktimin e konsumit të energjisë duhet të zbatohen krahas ekonomizimit të shfrytëzimit të veturave private, përmirësimit të transportit urban, kontrollimit të industrisë së ndërtimit dhe rritjes së hapësirave të gjelbra në zonat urbane”, sygjeron Çeku.
Tutje ai thotë se gjendjes së rënduar në Kosovë i kanë paraprirë dështimi i institucioneve në parandalimin e prerjes ilegale të drunjëve në Kosovë dhe shpyllëzimit, mbrojtja e tokës bujqësore, mbyllja e deponive të hapura, dhe rehabilitimi i kanalizimeve janë veprime që duhen ndërmarrë urgjentisht në drejtim të sanimit të gjendjes së rënduar mjedisore në Kosovë.
E megjithëkëtë, Instituti i Shëndetit Publik ka kërkuar urgjentisht nga autoritetet kompetente që të përpilojnë një plan veprimi për përmirësimin e cilësisë së ajrit, sidomos në kryeqytet, largimin nga përdorimi i veturave të vjetra dhe veturat pa katalizator dhe masa të tjera.
Kosova ndërkohë është në proces të ndërtimit të Termocentralit ‘Kosova e re’, e cila si e tillë është duke u kundërshtuar nga organizata vendore dhe ndërkombëtare të cilat merren me mbrojtje të mjedisit