Aktakuzë kundër një të pandehuri për krimet e luftës kundër popullsisë civile

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës gjatë ditës së sotme ka ngritur një aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj të pandehurit me iniciale N.A. për krimet e luftës kundër popullësisë civile në Kosovë.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se i pandehuri N.A. gjatë kohës së luftës në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ka shkelur rëndë rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare kundër personave dhe pasurisë që janë të mbrojtura me dispozitat përkatëse në Konventat e Gjenevës të 12 gushtit 1949.

Ai këto rregulla sipas tyre i ka shkelur në atë mënyrë që me datë 21.05.1999, në lagjen “Emshir” në Prishtinë, N.A. në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore serbe, deri më tani të paidentifikuar, ka marrë pjesë në aksionin kundër popullatës civile të nacionalitetit shqiptarë, me ç ‘rast në mënyrë çnjerëzore i kanë torturuar të dëmtuarit J.Sh. dhe S.Sh. duke i rrahur për një kohë të gjatë me mjete të forta në pjesë të ndryshme të trupit, duke iu shkaktuar vuajtje të mëdha dhe dëmtime të rënda trupore, nga pasojat e të cilëve ata vuajnë edhe sot.

Reklama e sponzorizuar

Të njëjtën ditë, i pandehuri N.A. në bashkëkryerje me persona të tjerë, kishte gjetur dhe përvetësuar nga të dëmtuarit shumën e madhe të parave, disa vetura dhe gjësende të tjera me vlerë.

Me këto veprime i pandehuri N.A. në bashkëkryerje ka kryer vepër penale Krimet e luftës kundër popullsisë civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, e penalizuar si Krimet e luftës në shkelje të rëndë të Konventave të Gjenevës nga neni 144 paragrafi 2 nënparagrafi 2.4 lidhur me paragrafin 1 nënparagrafi 1.1. lidhur me nenin 31 të Kodit penal të Republikës së Kosovës. /Buletini Ekonomik/