Banka Credins, e licensuar nga BQK, ndryshon aksionerët

Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës ditë më parë ka dhënë miratimin paraprak të kërkesës nga subjekti “Banka Credins Kosovë” për licencim si bankë në Republikën e Kosovës.

E britanikja Amryta Capital LLP është bërë aksionarja kryesore e Bankës Credins, përmes pjesëmarrjes direkte dhe indirekte, duke zotëruar kështu 23.247 për qind të aksioneve të bankës së tretë më të madhe në vend.

Reklama e sponzorizuar

Pasi mori indirekt 14.918 për  qind të aksioneve në Credins në vitin 2017, përmes blerjes së 100% të aksioneve të shoqërisë BFSE Holding BV, Hollandë, e cila është aksioner i Bankës Credins sh.a, britanikët kanë blerë direkt gradualisht nga aksionerët e tjerë edhe rreth 8% të aksioneve.

Lajmi u bë i ditur nga Banka e Shqipërisë, e cila ka dhënë miratimin paraprak për  rritjen  e pjesëmarrjes  influencuese (të  drejtpërdrejtë  dhe të  tërthortë)  të  aksionerit  Britanikja Amryta  Capital  LLP ,  nga  14.918  për  qind  në 23.247  për  qind,  në  kapitalin  aksionar  të  Bankës Credins sh.a.  Vendimin e ka marrë Këshilli Mbikëqyrës i bankës qendrore në mbledhjen e datës 4 dhjetor 2019 në bazë dhe për zbatim të shkronjës “e”,  të nenit  43, të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997, “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar; të shkronjës “h”, të pikës 1, të nenit 24, dhe nenit 25, të ligjit nr.   9662,   datë  18.12.2006  “Për  bankat  në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar; si dhe të rregullores  “Për  licencimin  dhe  ushtrimin  e veprimtarisë   së   bankave   dhe   të   degëve   të bankave të huaja në Republikën e Shqipërisë”.

Me propozim  të  Departamentit  të Mbikëqyrjes,  Këshilli  Mbikëqyrës  i  Bankës  së Shqipërisë ka vendosur të  japë miratimin  paraprak  për  rritjen  e pjesëmarrjes  influencuese  (të  drejtpërdrejtë  dhe të  tërthortë)  të  aksionerit  Amryta  Capital  LLP, Mbretëria  e  Bashkuar,  nga  14.918  për  qind  në 23.247  për  qind,  në  kapitalin  aksionar  të  Bankës Credins sh.a.

Sipas vendimit, ngarkohet  Banka  Credins  sh.a.  të  njoftojë Bankën e Shqipërisë për përmbushjen e të gjitha të drejtave dhe detyrimeve nga ana e shitësve dhe e blerësit.

Në maj të vitit 2018, Amryta Capital LLP bleu 2.34% të aksioneve nga aksionerët kryesorë Aleksandër Pilo dhe Renis Tërshana, sipas deklarimeve në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) dhe më pas e rriti në 3.09%, duke ia blerë aksionet individëve me mbiemër Bushati. Së fundmi Amryta ka blerë edhe 4.7% të aksioneve nga po nga Aleksandër Pilo, Renis Tërshana dhe individët me mbiemër Bushati. Kjo lëvizje e fundit nuk është reflektuar ende në QKB, por është miratuar nga Banka e Shqipërisë.

Sipas QKB, struktura aktuale e aksionerëve, (ku nuk është reflektuar ende blerja e fundit prej 4.7% të aksioneve nga Amryta) është, sipas tabelës më poshtë:

Siç shihet nga tabela, Renis Tërshana ishte aksioneri kryesor i bankës, por pasi ai i ka shitur rreth 3.4% të aksioneve tek Amryta, sipas të dhënave paraprake, aksioneri më i madh ka kaluar shoqëria, që rezulton e regjistruar në Britani.

Credins është banka e tretë më e madhe në vend sipas aktiveve. Sipas të dhënave të Shoqatës së bankave, në fund të 9 mujorit, Credins zotëronte 14.4% të aseteve të sistemit bankar, duke iu afruar me shpejtësi vendit të dytë, pas Raiffeisën me 15.1% dhe BKT me 26.9%.

Credins rezulton se është huadhënësi i më i madh në vend, me 18.5% të totalit, e ndjekur nga BKT, me 17.5% (pas ndarjes së aktivitetit me Kosovën, BKT ka zbritur në kredidhënësin e dytë më të madh në vend) dhe Raiffeisen me 17.4%.

Në peshën sipas depozitave, Credins është i treti (me 15.2%), pas BKT (25.3%) dhe Raiffeisen (15.6%).

Credins është banka e parë me kapital shqiptar themeluar nga disa biznese vendase në vitin 2003. Në vitin 2009, në të hyri dhe fondi privat BFSE Holding BV, që u ble 100% nga  britanikët e Amryta Capital LLP në vitin 2017, të cilët tashmë kanë kaluar në aksionerin më të madh. /Monitor.al/