Bankat komerciale të Kosovës, shtet brenda shtetit

Mehmet Gjata

Nuk ka tashmë tremujor, gjashtëmujor, nëntëmujor dhe përmbyllje viti, që bankat komerciale dhe organizmat bankar mikrofinanciar në Kosovën e varfër, nuk shënojnë rekorde fitimesh. Fundi i vitit 2021, u përmbyllë me fitim neto marramendës të bankave, me mbi 117,5 milionë euro. Edhe sivjet po vazhdon i njëjti trend, madje edhe më fitimprurës, ku profiti neto i bankave komerciale në Kosovë ka shkuar në 30.7 milionë euro vetëm në tremujorin e parë.

Mehmet GJATA

Kosova është parajsë e bankave, qofshin ato komerciale, ekonomike, kreditore financiare e mikrofinanaciare. Ky nuk është ndonjë konstatim i ri, as i shpikur. Është fakt. Dhe, faktin e bëjnë më bindës dhe më të fortë shifrat dhe numrat  e shumtë dhe dëshmitë që nuk kanë të sosur.

Nuk ka tashmë tremujor, gjashtëmujor, nëntëmujor, në përmbyllje viti, që bankat komerciale dhe organizmat bankare mikrofinanciar në Kosovën e varfër, nuk shënojnë rekorde fitimesh, fitimesh neto, natyrisht edhe bruto.

Reklama e sponzorizuar

Po radhisim me këtë rast këto fakte: Nga janari deri në shtator të vitit të kaluar, fitimi neto i bankave në Kosovë kishte arritur në 90.1 milionë euro, duke e bërë 2021-n vitin më fitimprurës për sektorin bankar që kur kanë filluar veprimtarinë e tyre në këtë vend, gjegjësisht përgjatë dy dekadave të fundit. Kurse fundi i vitit, u përmbyllë me fitim neto marramendës-mbi 117,5 milionë euro profit.

Statistikat për fitimet marramendëse të bakave në Kosovë

Sipas raporteve të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), vjet në nëntëmujor, fitimet e pastra të bankave komerciale janë rritur për 32.9 milionë euro, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Pasi që këto institucione gjatë periudhës janar-shtator 2021, kanë raportuar 90.1 milionë euro fitime neto, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kishin raportuar fitime prej 57.2 milionë euro.

Me rritje të jashtëzakonshme të fitimeve në periudhën janar-shtator 2021, është karakterizuar edhe sektori i institucioneve mikrofinanciare. Ky sektor, vjet kishte arritur fitime të pastra prej 10.5 milionë euro, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kishte raportuar humbje prej 2.7 milionë eurove.

Sivjet, vazhdon i njëjti trend, madje edhe më fitimprurës: Profiti neto i bankave komerciale në Kosovë ka shkuar në 30.7 milionë euro për vetëm tre muaj operim për këtë vit.

Një muaj më herët , fitimi që kishin paraqitur bankat në vend ishte mbi 21 milionë euro, kurse vetëm në muajin janar, të njëjtat kishin arkëtuar rreth 11 milionë euro, përcjell Buletini Ekonomik.

Pra, vetëm për një muaj, bankat në vend po arrijnë të realizojnë fitime mbi 10 milionë euroshe, fitime këto që kryesisht vijnë nga normat e larta të interesit dhe çmimet  astronomike dhe përditë në rritje të shërbimeve bankare.

Në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) rreth “Informatave Mujore të Sistemit Financiar”, saktësohet se vetëm të hyrat nga interesi në kredi nga këto banka për kë tre muaj, ishin në vlerë të 59.2 milionë eurove.

Të hyrat totale të bankave në këtë tremujor ishin 82.1 milionë euro, derisa shpenzimet arrinin në 51.5 milionë. Nga shpenzimet totale, vetëm 5.6 milionë euro ishin për shpenzime të interesit.

Po radhisim edhe më tej profitet e subjekteve bankare në Kosovë. Vetëm për tre muaj, Institucionet mikrofinanciare (IMF) në Kosovë, kanë arritur të realizojnë fitim neto prej 4.1 milionë eurove.

Nga 2.6 milionë euro sa ishte profiti neto i tyre në muajin shkurt të këtij viti, gjatë marsit atyre iu shtuan edhe 1.5 milionë euro të tjera fitim, duke e çuar fitimin e përgjithshëm në 4.1 milionë euro për vetëm tre muaj.

Bazuar në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) rreth “Sistemit financiar, Informata mujore për muajin mars 2022”, të hyrat e institucioneve mikrofinanciare në vend arritën në 13 milionë euro gjatë kësaj periudhe, përcjell, po kështu, Buletini Ekonomik.

Prej totalit të të hyrave, gjithsej 12 milionë ishin të hyra vetëm nga interesi.

Fitimet bakare, rrjedhojë e çmimeve enorme të produkteve bankare

Sipas të dhënave të fundit të BQK-së, por edhe të të dhënave të mëhershme të këtij institucioni, të bëra publike nga shumë medie kosovare, ndër to edhe nga Buletini Ekonomik, kjo rritje e profitit i atribuohet në masë të madhe të hyrave nga interesat që patën bankat, përkatësisht rritjes së kredidhënies, çmimeve stratosferike të shërbimeve bakare dhe miratimit pa asnjë kundërshtim nga BQK-ja të kërkesave të pandalshme të bankave për të mbajtur interesat në përqindje akoma shumë të larta, ndër më të lartat në shtetet e rajonit, dhe politikat e pakuptueshme që po ndjek BQK-ja në disfavor të theksueshëm kundrejt klientelës kosovare, duke miratuar më në heshtje ngritjen enorme të çmimeve të shërbimeve bankare.

Sepse, vlera e kredive të dhëna nga bankat komerciale në Kosovë, në fund të tremujorit të parë të këtij viti arriti në 3 miliardë e 930 milionë euro, prej të cilave 1,458.4 miliardë euro ishin për ekonomitë familjare, ndërsa 2,448.6 miliardë ishin për korporatat jofinanciare.

E norma efektive e interesit në kredi u pasqyrua në një përqindje prej 5.8%. Për kreditë e ekonomive familjare, kjo normë u zbrit në 5.8 nga 6.0% sa ishte në muajin shkurt, derisa norma e kredive konsumuese në mars ra në 6.1% nga 6.5% sa ishte në muajin shkurt të këtij viti.

Ndërkaq, norma e interesit në kredi për korporatat jo financiare ishte 5.7%, prej të cilave për ato bujqësore ishte në një përqindje edhe më të lartë prej 8.9%.

Ndërkohë, fare pa paralajmërim thuaja në raste të shpeshta po ngriten çmimet e shërbimeve bankare nga bankat komerciale, mu para syve të BQK-së, që ka mision të vetëm monitorimin e punës dhe stabilitetit bankar të vendit.

Në asnjë rast të vetëm, deri më tani, sidomos gjatë mandatit të guvernatorit aktual, BQK-ja nuk ka vlerësuar ngritjet e shpeshta të çmimeve të shërbimeve bankare. Ndërsa, as që bëhet fjalë për ndonjë rast të tërheqjes së vërejtjeve për bankat komerciale kosovare për këto çmime rekorde, ose për t’ua anuluar ndonjëherë vendimet për çmimet e shërbimeve bankare.

Buletini Ekonomik ka hulumtuar çmimoret e gjashtë bankave më të mëdha që operojnë në Kosovë.

Në përditësimin më të ri të çmimoreve të këtyre bankave, shihet se dy banka në Kosovë, më saktësisht, Raiffeisen Bank dhe NLB banka, kanë shtrenjtuar çmimin e shërbimit të tërheqjes së parave nga bankomatët (ATM).

Nga 20 centë sa ka qenë tarifa për tërheqje të parave deri në 1 mijë euro në bankomatë vitin e kaluar, Banka Raiffeisen tani ka ngritur çmimin në 50 centë për të njëjtin shërbim.

Po e njëjta tarifë, tani e tutje aplikohet edhe për tërheqjet e të hollave nga bankomatët jashtë lokacioneve të bankës në fjalë, që vitin e kaluar ishte vetëm 30 centë.

Ndërkohë, për tërheqjen e mjeteve për shumat mbi 1 mijë euro, tarifa shkon në 1 euro për transaksion në këtë bankë.

Për rastet e tërheqjeve të mjeteve në sportelet e kësaj banke, klientët e Raiffeisen duhet të paguajnë 2 euro e 50 centë për shumat deri në 100 mijë euro. Kurse për deponimin e mjeteve nëpër ATM-të e bankës Raiffeisen, aplikohet tarifë prej 50 centëve deri në shumën e 1 mijë eurove, dhe 1 euro mbi shumat prej 1 mijë eurove.

Vitin e kaluar, në NLB shërbimi për tërheqjet nëpër ATM-të brenda degës, kishte çmimin 10 centë, kurse jashtë degës – 15 centë, për kartelat debitore. Ndërsa tani, NLB-ja ka shtrenjtuar çmimin e shërbimit për tërheqjet e mjeteve nga bankomatët jashtë lokacioneve të bankës, nga 15 në 30 centë.

Kosova, parajsa bankare në rajon dhe përtej

Pra, Kosova, që nga paslufta e këtej është dëshmuar dhe po vazhdon të dëshmohet si një parajsë bankare në rajon, dhe përtej, për shkak të fitimeve enorme të bankave komerciale dhe të institucioneve mikrofinanciare, dhe ngarendjes së këtyre bankave pas fitimeve me çdo kusht dhe pa pasur edhe pengesën më të vogël për të realizuar synimin zhvatës.

Siç u tha më lartë, ka fakte që as tërheqje vërejtjeje nga kupola e sistemit bankar të Kosovës nuk iu bëhet ndonjëherë bankave kosovare, që kanë gjetur parajsën këtu ,dhe vendin zyrtarisht tolerant për thuaja çdo veprim të tyre, qoftë në ngritjen e çmimeve të shërbimeve, qoftë në mbajtjen konstante të interesave të larta, më të lartat në rajon.

Madje, nga toleranca pafundësisht e skajshme e BQK-së ndaj insistimit të bankave për nivel enorm të interesave, por edhe të shërbimeve, jo në pak raste kanë pasuar kërkesa të reja të këtyre bankave për të ngritur sidomos çmimet e shërbimeve dhe për të tkurrur maksimalisht numrin e punonjësve.

Çka thotë historiku i veprimtarisë bankare te ne?

Për të qenë më konkretë, po e përsërisim historikun e veprimtarisë bankare te ne dhe “turret” egërsisht të aplikuara ndër vite, për të fituar sa më shumë në Kosovën e varfër dhe pa shumë zgjidhje, për të pasur qytetari paratë e domosdoshme si në mbarë shtetet normale të botës.

Në Kosovë, në vitet e para të pasluftës, bankat komerciale (atëbotë akoma institucionet mikrofinanciare nuk ishin edhe aq të njohura te ne), që brenda një kohe të shkurtër u bënë 7-8 sosh, kryesisht të huaja, aplikuan kamatat enorme, të papara dhe të padëgjuara në vendet e Evropës, mbi 20-25 e kusur për qind.

Po aq të shtrenjta këto banka kishin edhe çmimet e shërbimeve edhe të të gjitha produkteve bankare të nevojshme dhe të domosdoshme për një shtet. Edhe këto çmime i kishin më të shtrenjtat në botë.

Natyrisht, këtë zhvatje të vullnetshme këto banka nuk do të kishin asnjë mundësi ta bënin të vetme, pra pa përkrahjen e ndonjë institucioni mbikëqyrës kosovar. Dhe kjo përkrahje në asnjë rast të vetëm dhe asnjëherë nuk mungoi nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), e cila lehtësisht pranonte kërkesat e bankave zhvatëse dhe miratonte pa humbur kohë kërkesat e kamatarëve të huaj dhe vendor, gjithnjë duke qenë shumë e mbyllur me publikun dhe gjithnjë jotransparente për pranimin e kërkesave të bankave komerciale.

Arsyetimet e paqëndrueshme të bankarëve për kamatat e larta

Arsyetimi i vetëm nga bankat dhe nga BQK-ja për kamatat, që ngjasonin me ato të fajdexhinjve (ose ishin fare të përafërta me to), ishte gjoja risku i lartë në këto vite në Kosovën e pasluftës, edhe pse në ato vite në Kosovë thuaja nuk ndodhi asnjë vjedhje e as thyerje e ndonjë institucioni bankar.

Ndërkohë, po në atë periudhë, anembanë në shtetet e rajonit dhe gjithandej, kishte X raste të vjedhjeve të bankave.

Edhe kreditë jo-performuese, ose siç quhen ndryshe kreditë e këqija janë fare të vogla “në Kosovën me risk të madh të sigurisë”.

Ato, sipas pohimeve të guvernatorit të BQK-së Fehmi Mehmeti, janë gjithsej 2.5 për qind dhe këtë përqindje do ta lakmonin edhe shtetet me traditë qindravjeçare bankare (sa për ilustrim, në Shqipëri kreditë e këqija deri në tetor të vitit 2021 arrinin në 8,11 për qind).

Shih për këtë, vrojtuesit e jashtëm që i shikonin me realizëm zhvillimet te ne, jo njëherë thanë, shkruan dhe njoftuan se Kosova, edhe në ato rrethana (shumë pak vite pasluftës), ishte fare e sigurtë dhe ndër vendet më të sigurta edhe për funksionimin e bankave komerciale.

Për këto shkaqe Kosova u bë dhe vazhdon të mbetet parajsë e bankarëve. Dhe me këtë parajsë, bankat e instaluara këtu nuk u kënaqën dot, por ngarendën vrullshëm dhe egërsisht pas shansit të ofruar për fitime të reja më të shumta dhe gjithnjë të shpejta. Pa humbur kohë, shpesh dhe disa herë edhe brenda një viti, ngritën çmimet e produkteve bankare, sidomos të shërbimeve, dhe megjithë presionin nga brenda dhe jashtë opinionit, mbajtën nivelin enorm të interesave. Dhe kjo nuk u mjaftoi. Zunë të tkurrin filialet, e mbyllën shumë prej tyre, për të krijuar radhë të pafundta para sporteleve të bankave komerciale.

Për një shërbim më të voglin, tani kosovari i rëndomtë duhet pritur edhe me orë, për shkak të reduktimit të filialeve, sporteleve dhe punonjësve në këto banka. Dhe prapë nuk u ngopën me fitimet enorme.

Tash e më shumë se dy vjet disa nga bankat komerciale kanë zënë të reduktojnë drastikisht numrin e punonjësve në emër gjoja të digjitalizimit të shërbimeve, edhe pse ato fare mirë e dijnë që për mbi gjysmën e kosovarëve ato janë të pakapshme dhe të pazbatueshme. Në anën tjetër, vazhdojnë të shtojnë fitimet neto.

Dhe për shkak të shërbimeve frikshëm të shtrenjta, dhe interesave akoma shumë të larta, bankat komerciale në vendin tonë, këto që janë (10-11 sosh), vjet kanë arkëtuar mbi 117 milionë euro neto fitim. Këtë shumë, nuk ka dyshim do ta lakmonte edhe banka më prestigjiioze dhe më kredibile në akcilin shtet të botës.

Kudo në botë po ta përmbyllte vitin afarist me gjysmën e këtij fitimi, edhe më pak fitim, do të bëhej temë mediale-shoqërore. Me trendin e fitimit të realizuar në tremujorin e parë, analistët parashikojnë që rekordi i vjetshëm i fitimit, në fund të këtij viti do të tejkalohet lehtësisht.

Dhe me gjithë këto fakte, BQK-ja, si rregullatore e sistemit bankar të Kosovës dhe mbikëqyrëse ligjore e funksionimit të bankave kosovare, cilado qofshin ato, ka heshtur, dhe për ironi të fatit po vazhdon të heshtë, që përkthehet -po vazhdon të përkrahë ngarendjen e bankave të uritura për të shtuar pa sosur fitimet neto dhe dërgimin e këtij fitimi në shtetet prej nga e kanë origjinën apo selinë, shumica e bankave të Kosovës.

BQK-ja pra, me gjuhën dhe leksikun asnjëherë të përcaktuar, vazhdon të heshtë për këto çmime astronomike të produkteve bankare që aplikohen sot e kësaj dite në vendin tonë.

BQK-ja është e mbyllur kaherë për opinionin, nuk sqarohet për asnjë shqetësim të qytetarëve për kuotat super të larta (më të lartat në rajon dhe në botë të interesave dhe shërbimeve bankare, por as për interesimet e medieve për këto zhvillime te ne. Dhe kjo heshtje që thuaja është bërë moto e punës së zyrtarëve përgjegjës në BQK, iu shkon për shtati bankave që nuk ka muaj që nuk shtrojnë kërkesa të reja për ngritje të kostos së shërbimeve bankare.

Gjendja pothuajse nuk ka ndryshuar fare edhe tani kur kanë kaluar 23 vjet nga paslufta. /Buletini Ekonomik/