Banka TEB përfundimisht nuk shitet

Burime të Buletinit Ekonomik brenda bankës TEB kanë konfirmuar se përfundimisht ka dështuar shitja e bankës. Për më shumë se 1 vit, aksionerët dhe menaxhmenti i bankës kanë qenë në bisedime me blerës të mundshëm.

Kanë qenë 3 blerës të mundshëm të bankës:

1) një investitor nga Bullgaria,

Reklama e sponzorizuar

2) disa biznesmenë nga Maqedonia dhe

3) një bankë nga Kosova.

Sidoqoftë, asnjëri nga këta blerës nuk kanë qenë të gatshëm të paguajnë aq sa kanë kërkuar aksionerët e bankës.

Banka TEB ka hyrë në tregun e Kosovës në vitin 2007. Kapitali i aksionerëve është 24 milionë euro dhe vie nga aksionerë francezë dhe turq.

50% e aksioneve i takojnë BNP Paribas Fortis Yatırımlar Holding A.Ş., dhe 50% Çolakoğlu Group Joint Venture.

Partneri francez, Paribas Bank, ka marrë vendim para më shumë se 1 viti që të largohet nga disa shtete ku ata operojnë, duke përfshirë edhe Kosovën. Marrëveshja e partneritetit në mes të aksionerëve francezë dhe atyre turq dikton që ato hyjnë dhe dalin nga shtetet bashkarisht.

Burime të Buletinit Ekonomik brenda TEB-it, kanë treguar që aksionerët turq kanë hezituar të shesin pjesën e tyre dhe të dalin nga tregu i Kosovës. Sidoqoftë, marrëveshja me francezët i ka detyruar që të kërkojnë blerës të bankës.

Tani me mbylljen e kapitullit të shitjes, menaxhmenti i bankës do të ketë më shumë mundësi të fokusohet në çështjet operacionale. Në muajt e fundit, portfolio e bankës nuk është rritur sikur konkurrenca e saj. Në të njëjtën kohë, punëtorët e bankës do të ndihen më të shliruar se nuk do të ketë ndryshime në bankë, dhe rrjedhimisht më pak mundësi për largime nga puna.

Vlenë të theksohet që në deri në fund të vitit 2018, TEB-i ka pasur asete në vlerë prej 556 milionë euro. Fitimi neto i bankës ka qenë rreth 15.2 milionë euro, me një kthim në ekuitet prej 20.3%. Banka ka 29 degë, dhe 590 të punësuar. /Buletini Ekonomik/