Bankat komerciale në Kosovë kanë klientë mjaftë të disiplinuar të cilët kryesisht respektojnë afatet e kthimit të kredive. Përkundër faktit që bankat nga viti në vit shënojnë rritje të numrit të kredive të lëshuara, ato përballen në raste mjaftë të rralla me kredi të këqija apo joperformuese.
Me termet bankare, vonesat e kthimit të kredisë nga huamarrësi brenda afatit prej 90 ditëve, njihen si kredi problematike dhe konsiderohen si kredi joperformuese.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, niveli i kredive joperformuese gjatë këtij viti ka rënë në 2.1 për qind, nga 2.7 për qind sa ka qenë vitin e kaluar, kurse këto norma në vitin 2015 ishin deri në 8 për qind.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Fehmi Mehmeti, gjatë një konference për media, ka thënë se nga të gjitha shtet e Ballkanit Perëndimor, por edhe nga disa vende të Bashkimit Evropian, Kosova është i vetmi vend në rajon i cili ka arritur të mbaj në vlerën më të ulët përqindjen e kredive joperformuese.
Kjo vlerë, sipas tij, tregon cilësinë e mirë të portofolit kreditor.
“Kjo normë e ulët e kredive joperformuese, përpos që tregon se kemi një sektor bankar të shëndoshë, është mirë të përdorët si model për treguar gjendjen e përgjithshme që ofron ekonomia e tregut të Kosovës dhe është një informatë shumë e rëndësishme edhe për investitorët e huaj të cilët dëshirojnë të vijnë dhe të investojnë në Kosovë”, tha Mehmeti.
Ekspertë për çështje financiare ndërkaq pohojnë se procedurat dhe kriteret e shumta për aprovimin e një kredie në bankat komerciale që veprojnë në Kosovë, janë faktorë kryesorë që kanë ndikuar që niveli i kredive joperformuese të mbetet në nivel të ulët.
Mejdi Bektashi profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se një ndër arsyet e normës se kredive joperformuese, paraqitet për faktin se numri më i madh i bankave komerciale që veprojnë në tregun e Kosovës janë me kapital të huaj, banka këto që kanë edhe nivelin më të lartë të kredive dhe depozitave. Ai thotë se këto banka janë shumë të kujdesshme kur është në pyetjeaprovimi i kredive, duke siguruar dëshmi që klienti mund të përfundojnë shlyerjen e kredive.
“Bankat e huaja, zbatojnë një politikë shumë rigoroze dhe u lejojnë kredi vetëm klientëve që kanë aftësi dhe mundësi kthimin e kredive sipas afatit të maturimit”, thotë Bektashi.
Ndërkaq, eksperti tjetër për çështje financiare, Milazim Abazi thotë se bankat komerciale që operojnë në Kosovë nuk kanë trashëguar kredi jopërformuese, për dallim nga bankat tjera në rajon. Sipas tij, edhe edukata financiare e qytetarëve të Kosovës ka ndikuar në këtë proces.
Për Abazin është absurd fakti që përkundër që niveli i kredive joperformuese është i ulët, bankat nuk kanë reflektuar në anën tjetër për të ulur normën e lartë të interesit që e zbatojnë për dhënien e kredive, e cila vlerësohet si më e larta nëse krahasohet me normat në vendet e Ballkanit.
“Arsye e parë është që Kosova, paraqitet i vetmi vend në Ballkan që nuk ka trashëgimi të kredive të këqija. Derisa republikat tjera të ish-Jugosllavisë, kishin të trashëguara këso lloj të kredive, Kosova ka filluar nga zero. Niveli i kredive të këqija vazhdimisht ka shkuar në rënie dhe kjo nënkupton se BQK-ja ka një mbikëqyrje të mirë të sistemit kreditor në Kosovë, kurse vetë bankat përcjellin kujdesshëm procesin e aplikimit dhe aprovimit dhe qytetarët janë të përgjegjshëm ndaj obligime financiare”, shprehet Abazi.
Në 10 bankat komerciale që operojnë në Kosovë, deri në fund të muajit tetor 2019, kreditë e sektorit bankar kanë arritur vlerën prej 2.98 miliardë euro.
Rritja vjetore e kredive mbetet e lartë me normë vjetore prej 10 për qind. Burim kryesor i financimit të aktivitetit të sektorit bankar vazhdojnë të jenë depozitat, shuma e të cilave gjatë kësaj periudhe arriti në 3.75 miliardë euro që paraqet një rritje vjetore prej 16 për qind.