Borxhet e Komunës së Ferizajit lënë studentët pa bursa

Shumën prej 52 mijë eurosh, të paraparë për bursa të studentëve, ia ka marrë Komunës një përmbarues privat. Rrjedhimisht pa bursa kanë mbetur 100 studentë, të cilët të hënën nëpërmjet një proteste kanë kërkuar realizimin e së drejtës së tyre.

Lorita Rama, njëra ndër organizatoret e protestës së studentëve, ka thënë se prej disa muajsh janë duke i kërkuar bursat e tyre si përfituese nga komuna, mirëpo deri tashti nuk kanë marrë asnjë përgjigje zyrtare. Sipas saj, bursat është dashur të jepeshin para muajit tetor të këtij viti, mirëpo Komuna e ka zvarritur procesin pa dhënë ndonjë arsyetim zyrtar, shkruan sot Koha Ditore.

“Kemi kërkuar llogaridhënie nga kryetari i Komunës, pastaj jemi takuar edhe me drejtorin e Arsimit, por nuk kanë dhënë asnjë arsyeje zyrtare. Së fundi ia kemi adresuar një kërkesë dhe kemi kërkuar që deri më 21 dhjetor të na kthehet përgjigjja zyrtare, mirëpo një gjë e tillë sërish nuk ka ndodhur. Ndërkohë jemi detyruar të protestojmë për ta kërkuar të drejtën tonë legjitime”, ka thënë Rama.

Reklama e sponzorizuar

Sipas saj, protesta është realizuar për t’i kërkuar mjetet si përfitues të bursave dhe në të njëjtën kohë për t’u shprehur “ngushëllime” premtimeve të ekzekutivit të komunës. “Më pastaj kemi vazhduar edhe te objekti i komunës për të njëjtin qëllim duke ndezur qirinjë për premtimet e kryetarit të Komunës, si dhe më pas kemi bërë edhe shitjen e disa dekoreve të bredhit si simbolik që neve nuk na duhen zbukurimet, por bursat tona”, ka shtuar ajo.