Janë bërë dy muaj qëkur Banka Qendrore e Kosovës ka marrë vendim për rritjen e tarifës së sigurimit të automjeteve për 26,6 për qind. Pavarësisht reagimeve të shumta, ajo edhe më tej nuk po e tërheq vendimin e marrë, shkruan gazeta “Zëri”.
Banka Qendrore e Kosovës nuk ka dhënë shumë informacione për vendimin që ka marrë për rritjen e tarifës për 26,6 për qind për sigurimin e automjeteve. Së fundmi, ajo ia ka mohuar të drejtën për qasje në vendim institutit GAP. Ky Institut kishte bërë kërkesën për qasje në adresë të BQK-së më 10 dhjetor 2019, me ç’rast kishte kërkuar qasje në studimin aktuarial mbi të cilin është bazuar BQK-ja kur ka marrë vendim për rritjen e çmimit të sigurimeve për vetura, si dhe ka kërkuar qasje në vendimin e Bordit Ekzekutiv të BQK-së të datës 31 tetor 2019 për rritjen e sigurimeve.
Por BQK-ja ka kërkuar që përfaqësuesit e institutit GAP të takohen me zëvendësguvernatorin në vend të publikimit të dokumenteve. Instituti GAP ka paralajmëruar se do të kërkojë intervenimin e Avokatit të Popullit para se ta dërgojë në gjykatë vendimin e BQK-së për mospublikim të dokumenteve, edhe pas përsëritjes së kërkesës. Vendimin e BQK-së po vazhdojnë ta kritikojnë edhe shumë njohës të çështjeve ekonomike në vend e po ashtu edhe përfaqësues të subjekteve politike, shkruan tutje “Zëri”.
Ata kanë thënë se vendimi i tillë është marrë fshehtas dhe se është i papranueshëm duke u bazuar në gjendjen ekonomike në vend.