Dallaveret me patentë shofer, Gjykata ua ndryshon masën disa personave

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar propozimin e Prokurorisë Themelore që të zëvendësojë masën e arrestit për disa persona të përfshirë në rastin me patentë shoferë. Gazeta Express ka siguruar vendimin e Gjykatës.

Në këtë vendim, shkruhet se aprovohet propozimi i Prokurorisë Themelore për të zëvendësuar masën e arrestit shtëpiak në masën e paraqitjes në stacion policor.

Ky vendim është marrë për: Filiz Krasniqin (Drejtoresha e Departamentit për Patente Shofer) , Naser Llugaliun (koordinator për patentë-shofer në Ministrinë e Infrastrukturës) , Filloreta Ajvazin, Fejzullah Ejupin, (zyrtar administrativ) e Flora Ferizin.

Reklama e sponzorizuar

Të pandehurit obligohen që të paraqiten çdo të hënë në ora 08:00 në stacionin më të afërt policor.

Derisa këtyre u është caktuar masa e paraqitjes në stacion policor, kjo kërkesë që është propozuar edhe për dy të pandehurit, Avdush Topallin dhe Premtim Topallin, është refuzuar nga Gjykata.

Prokuroria me datë 29 nëntor kishte kërkuar që t’u ndërrohet masa 16 të pandehurve. Gjykata e kishte vlerësuar si pjesërisht të bazuar këtë kërkesë.

Në korrik të këtij viti, Policia e Kosovës kishte arrestuar 23 persona të dyshuar për dallavere me patentë shoferë. Shumica nga të arrestuarit kishin qenë zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës./Express/