30 sindikata dhe grupe ankuesish deri më tani kanë dërguar ankesa në institucionin e Avokatit të Popullit lidhur me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik. Ligji, i cili hyri në fuqi më 1 dhjetor të këtij viti, mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese në afat kohor prej 60 ditësh nga momenti i hyrjes në fuqi
Sipas Mursel Zymberit, kryetar i Sindikatës së Shërbimit Civil në Kosovë, rishikimi i këtij ligji është kërkuar edhe më parë, megjithëse tani ka pak mundësi të bëhen ndryshime. “Sindikata e Shërbimit Civil e Kosovës ka bërë kërkesë edhe më herët që të rishikohet ky ligj, por me rënien e Qeverisë dhe me vetë faktin se ky ligj është aprovuar në Kuvendin e Kosovës pothuajse janë shuar mundësitë që tani për tani në këtë periudhë të ndërhyhet në ligj. Ne në bisedimet dhe në arsyetimet që ua kemi dhënë Qeverisë së Kosovës, sektorëve dhe ministrive të caktuara e kanë parë edhe ata se në të vërtetë ka një mospërputhshmëri të pagave në mes të sektorëve të caktuar në shërbimin publik dhe janë lënë mundësitë që përmes amendamentimit të ligjit të krijohet një mundësi më e mirë për paga dhe për punë më të saktë me paga më të dinjitetshme në raport me punën që e bëjnë shërbyesit civilë”, ka thënë ai për “Zërin”.
Ai e sheh të nevojshme aprovimin e ligjit, pasi ka mundësi që përmes amendamenteve të ligjit të bëhen përmirësime. “Tani në këtë moment në bazë të kërkesës të shërbyesve civilë nuk është e mirë që ky ligj të mos aprovohet, sepse edhe këto paga me ngritje që kanë ndodhur janë shumë të nevojshme. Ne do ta shohim mundësinë që përmes amendamentimit të ligjit të përmirësohet pozita e shërbyesve civilë. Një numër i madh i shërbyesve civilë në bazë të njoftimeve që kam tashmë edhe janë futur në kredi të caktuara dhe mosdalja e ngritjes së pagës i dëmton shumë”, ka thënë tutje ai.
Ai konfirmoi se në Kosovë përllogaritet të jenë diku afër 18 mijë shërbyes civilë. “Në përgjithësi mbi bazën e Ligjit për Shërbyes Civilë gjithsej në nivel vendi janë rreth 23 mijë shërbyes civilë, nëse llogariten me Ligjin e Vjetër për Shërbyesit Civilë. Tani që sektorë të caktuar mund të mos jenë shërbyes civilë mund të llogaritet që shërbyes civilë mund të jenë afër 18 mijë”, ka thënë Zymeri.