Vonesat e krijuara me procesin zgjedhor dhe së fundi edhe në arritjen e marrëveshjes për koalicionin qeverisës për formimin e institucioneve të reja, nga ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve po konsiderohen me pasoja të mëdha dhe të pariparueshme në ekonominë e vendit.
Janë bërë më shumë se 5 muaj që kur Kosova funksionon me qeveri në detyrë, pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit ende nuk ka arritur të bëjë marrëveshje për koalicionin qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se vonesat në krijimin e institucioneve të reja, pengojnë një sërë zhvillimesh, duke përfshirë këtu edhe mosmiratimin e disa ligjeve që do të sillnin përfitime për sektorin privat
“Janë ligjet tatimore që kanë qenë në proces të plotësim-ndryshimit dhe të cilat mbesin në pritje të krijimit të kuvendit të ri dhe qeverisë së re, e cila do të duhej t’i procedonte të njëjtat tek Kuvendi i Kosovës, është Ligji për Gjykatën komerciale pastaj i cili që do t’i hapte rrugë krijimit të një gjykate që do t’i trajtonte kontestet e natyrës komerciale”.
“Por, ajo që është më e rëndësishmja, është aprovimi i projektligjit për buxhetin e vitit 2020, i cili do t’i lejonte shpenzimet për qëllimet e investimeve kapitale dhe do t’i mundësonte sektorit privat të kishte qasje në këto kontrata të qeverisë, qoftë për produkte, qoftë për shërbime”, thotë Zeka.
Në bazë të Ligjit për menaxhimin e financave publike, Qeveria e Kosovës deri më 31 tetor, ishte dashur ta kishte të miratuar buxhetin e propozuar dhe ta dërgonte atë në kuvend, por kjo nuk ka ndodhur për shkak të procesit zgjedhor.
Haki Shatri, këshilltar i kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se për aq kohë sa nuk formohen institucionet e reja, do të ketë dëme ekonomike dhe vonesa në çdo projekt investiv.
“Nga një janari, në bazë të Ligjit për menaxhimin e financave publike, mund të procedohen pagesa vetëm për paga për transfere sociale dhe për ndonjë obligim ndërkombëtar, siç janë kreditë, kurse asnjë pagesë e paautorizuar me ligj nuk mund të procedohet që ka të bëjë me realizimin e projekteve investive. Pra, dëmi në ekonomi nga vonesa e konstituimit të Kuvendit fillon nga 1 janari”, thotë Shatri.
Profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova mund të futet në një vakum institucional serioz edhe se kjo situatë do të krijojë indikacione negative ekonomike dhe sociale.
“Ajo që duhet theksuar nëse futemi në këtë vakum, ambienti i të bërit biznes në Kosovë po përkeqësohetedhe më tepër. Kosova në aspektin politik bëhet një vend jostabil për investime afatgjate. Kosova nuk ka politika ekonomike, pasi që nuk ka qeverisje efektive, prandaj çdo vonesë i rrezikon edhe projektet e filluara më parë dhe bllokon iniciativat e reja në formë të projekteve dhe aktiviteteve për dinamizmin e zhvillimit ekonomik”, thotë Sadiku.
Në të kaluarën në Kosovë pas zgjedhjeve, konstituimi i institucioneve të reja zakonisht ka hasur në vështirësi.
Pas zgjedhjeve të vitit 2017 krijimi i shumicës parlamentare në Kuvendin e Kosovës kishte qenë një sfidë e vërtetë për koalicionin fitues të zgjedhjeve të atëhershme të 11 qershorit, i quajtur koalicioni PAN, i cili më vete kishte përfshirë Partinë Demokratike të Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën për Kosovën.
Koalicioni ishte arritur të krijohej pas tre muajsh që nga mbajtja e zgjedhjeve.
Një kohë më të gjatë të krijimit të institucioneve të reja kishte ndodhur në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014.
Në atë kohë, koalicioni qeverisës ndërmjet Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës ishte arritur të bëhet pas gjashtë muajve nga mbajtja e zgjedhjeve.