Hetuesia pretendon se është përdorur kontratë e falsifikuar për të tjetërsuar pronën e RTP-së

Një kontratë e falsifikuar dyshohet se ka qenë dokumenti kryesor mbi të cilin është tjetërsuar prona në vlerë milionëshe e ish-Radiotelevizionit të Prishtinës.

Përmbajtjen e kësaj kontrate nuk ka arritur ta legjitimojë ende deklarata e asnjë dëshmitari të ftuar për këtë rast.

Gazeta ka mësuar se deri më tani janë intervistuar mbi pesë dëshmitarë për këtë rast, shkruan sot “Koha Ditore”.

Reklama e sponzorizuar

Një parcelë me sipërfaqe rreth 80 ari ka kaluar para disa muajsh me aktgjykim të Gjykatës Themelore në Prishtinë nga prona shoqërore në pronë private.

Shkumbin Qehaja ka prezantuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë një kontratë të vitit 1994, përmes së cilës pretendon se Radiotelevizioni i Prishtinës i kishte borxh për shkak të një kontrate për “ furnizim me pajisje televizive”.

Megjithatë, hetuesia ka filluar intervistimin e shumë dëshmitarëve për këtë rast.

Siç i kanë treguar gazetës burime në hetuesi, janë intervistuar disa persona që janë ish-punëtorë të RTP-së.

“Është intervistuar kryetari i Bordit të Radiotelevizionit të Prishtinës, Hilmi Kastrati, dhe anëtarë të Bordit të drejtorëve”, ka thënë ky burim.