Institucionet thonë se nevojitet kohë për përmirësimin e ajrit në Prishtinë

Për disa herë është tejkaluar këtë javë kufiri nivelit të ndotjes së ajrit në Prishtinë.

E, ajri shumëfish i pashëndetshëm përsëritet çdo vit gjatë dimrit, pavarësisht se institucionet vazhdimisht deklarojnë se po marrin masa për zbutjen e gjendjes, shkruan sot Koha Ditore.

Përdorimi i thëngjillit, tymi i termocentraleve bashkë me emetimin e gazrave nga automjetet e shumta, përbëjnë tre nga faktorët kryesorë në këtë drejtim.

Reklama e sponzorizuar

Nëse jo për zvogëlimin e përdorimit të thëngjillit nëpër shtëpi private, qytetarët thonë se institucionet është dashur të marrin masa për reduktimin e numrit të automjeteve në qendër.

Komuna thotë se përmes veprimeve të shpejta është e pamundur të arrihen rezultate në zvogëlimin e ndotjes. Kryetari Shpend Ahmeti thekson se janë duke punuar në masa afatmesme, të cilat, sipas tij, do të japin efektin e tyre pas katër apo pesë vjetësh.

Ndonëse përdorimi i thëngjillit në institucione është ndaluar, kryetari Ahmeti, thotë se kjo nuk mund të bëhet edhe ndaj shtëpive private, derisa nuk ka ndonjë formë subvencioni për alternativa tjera ngrohëse.

Ai beson se në përmirësimin e cilësisë së ajrit do të ndikojnë edhe masat që parasheh Plani i Mobilitetit.

Në Ministrinë e Mjedisit thonë se për ndryshimin e shpejtë të gjendjes nevojiten investime për blerjen e filtrave të termocentralit B, zgjerimi i rrjetit të ngrohjes qendrore përmes koogjenerimit dhe fillimi i ngrohjes përmes paneleve solare.

Megjithatë, cilësia e ajrit përmirësohet kur ngrihen temperaturat dhe moti është i kthjellët.