Kreu i LDK’së, Isa Mustafa, i është kundërpërgjigjur liderit të Lëvizjës Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili para disa orëve njoftoi se kanë dështuar të arrijnë marrëveshje me LDK’në para seancës për konstituimin e Kuvendit.
Mustafa ka shkruar se nuk kanë dështuar negociatat, ashtu sic e paraqiti z. Kurti. Ai thotë se në fakt ka dështuar strategjia e VV’së, që sipas kreut të LDK’së, kishte synim t’ia hedhur fajin partisë së tij.
“Për LDK-në dhe për mua, negociatat nuk kanë dështuar.Ka dështuar strategjia e Vetëvendosjes për ta siguruar para publikut epitetin e palës parimore dhe gjeneroze në negociata dhe për t’ia hedhur fajin LDK-së”, thotë Mustafa, transmeton Gazeta Express.
Shkrimi i plotë i Mustafës:
Të dashur miq,
Qytetarët e Kosovës, më 6 tetor, përmes votës të tyre, na kanë dhënë besimin për të ndryshuar gjërat për të mirë.
LDK-ja dhe unë, pavarësisht arsyeve të shumta që lidhen me raportet tona me VV-në në të kaluarën, jemi ulur në tryezë dhe kemi negociuar.
Në këtë proces, jemi kujdesur dhe kemi arritur ta imponojmë njohjen e proceseve dhe të atributeve të Kosovës shtet i pavarur e sovran, përcaktimin e saj strategjik euro-atlantik, përfshirë edhe modelin e ekonomisë sociale të tregut, si përcaktim strategjik dhe zhvillimor të Kosovës.
Negociatat nuk kanë qenë të lehta dhe partneri në tavolinë, Lëvizja Vetëvendosje, në disa raste, i ka shpërfillur rregullat për të cilat kishim rënë dakord.
Të tillë e kam parë VV-në edhe sonte me video-mesazhin e Kryetarit të Vetëvendosjes, z.Albin Kurti.
Për LDK-në dhe për mua, negociatat nuk kanë dështuar.