Uran Ismaili, ministër në largim në Ministrinë e Shëndetësisë, e ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese rreth pezullimit të Ligjit për paga për punonjësit publikë, përfshirë këtu edhe ata shëndetësorë.
Ismaili ka thënë se një vendim i tillë i marrë nga Kushtetuesja është zhgënjyes dhe frustrues dhe, se pas tij, shumë mjekë rrezikojnë të lëshojnë Kosovën në kërkim të një page të dinjitetshme.
“Ky vendim rrezikon tej mase përpjekjet tona për ndaljen e ikjes së profesionistëve shëndetësorë nga vendi ynë. Jam jashtëzakonisht i zhgënjyer me pezullimin, zvarritjen dhe rezistencën që po i bëhet këtij ligji. Profesionistët shëndetësorë nuk e meritojnë këtë trajtim”, ka shkruar Ismaili.
“Vendimi i sotëm i Gjyaktës Kushtutese për të pezulluar implementimin e Ligjit për paga deri më 30 mars të vitit 2020 është sa zhgënjyes, aq edhe frustrues. Profesionistët shëndetësorë, krahas punëtorëve të tjerë të sektorit publik, nga fundi i këtij muaji është dashur t’i marrin pagat e tyre me rritje. T’u thuhet tani, dy javë para se ata të gëzojnë paga të dinjitetshme, të pritura me dekada, se ata do të vazhdojnë të paguhen siç janë paguar deri më sot, është shumë dëshpëruese”, thotë ai.
Oda dhe Sindikata e mjekëve thonë se në bazë të trendit aktual, Kosova në një të ardhme rrezikon të mbetet pa profesionistë shëndetësorë. Tash mjekë nga tregu i Kosovës po kërkon edhe Zvicra, shkruajnë mediat kosovare, përcjell albinfo.ch.