Kosova është duke u hetuar lidhur me marrëveshjen për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.
Kjo pasi Sekretariati i Komunitetit të Energjisë me bazë në Vjenë ka ngritur dyshime për ndihmë shtetërore, joligjore, për aspektet e kontratës për blerje të energjisë dhe të tjera, raporton KTV.
Për këtë, në një përgjigje me shkrim, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë që nuk ka ndihmë shtetërore, joligjore.
“Kemi bërë ekspertizë të detajuar ku tregohet se ndihma shtetërore nuk është ilegale siç pretendon Sekretariati. Ne kemi argumente të mjaftueshme që e tregojnë këtë. Në janar e kemi seancën e parë dëgjimore ku do t’i paraqesim argumentet tona dhe shpresoj që deri në shkurt kjo të qartësohet. Është e rëndësishme që edhe Qeveria deri në atë kohë të formohet dhe të vazhdohet tutje edhe në kohën që jemi në shqyrtim me Sekretariatin. Një gjë të tillë Sekretariati e ka bërë edhe me Bosnjën, pra kjo është procedurë që bëhet për monitorim strikt, tash Bosnja ka vazhduar me ndërtimin e termocentralit”, ka thënë Lluka.
Kjo kontratë është kundërshtuar dhe nga një koalicion i OJQ-ve, sepse sipas saj, kjo kontratë e dëmton tregun e lirë. Mes tjerash nga “Balkan Green Foundation”, thonë që kontrata mund të ketë ndikim edhe në sfera të tjera të jetës.
Sipas tij, ky projekt nuk duhet të jetësohet.
Koalicioni i OJQ-ve ka kërkuar nga qeveria e re që të marrë masa lidhur me këtë çështje. Ndërkaq, gjatë ditës, Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve nuk ka deklaruar se si do të veprojë nëse do të vijë në krye të ekzekutivit. Mirëpo, kishte votuar kundër marrëveshjes me “Contour Global” për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re. Njëjtë edhe LDK-ja ishte kundër kësaj kontrate.
Me këtë marrëveshje, Kosova duhet të gjejë garantues për vitalizimin e këtij projekti deri në maj të vitit 2020 dhe do të blejë energji për 20 vjet me çmim prej 80 euro për megavat.