Shteti i Kosovës edhe këtë vit ka importuar sasi të madhe të mjeteve piroteknike nga shteti i Kinës. Hiç më pak se 6.3 milionë euro është vlera e 81 mijë kilogramëve mjete piroteknike, që janë importuar në Kosovë gjatë vitit 2019, shkruan sot gazeta Zëri.
Për ndriçimin e qiejve, për zhurmimin në tokë e për kundërmimin e barutit në ajër Kosova edhe sivjet nuk ka kursyer aspak. Të pamëshirshëm ndaj shëndetit dhe ndaj sigurisë së qytetarëve janë treguar edhe këtë fundvit bizneset, institucionet e qytetarët kosovarë, të cilët për dallim nga vitet e kaluara sivjet kanë rritur kërkesat për blerje të mjeteve piroteknike. Zyrtarë nga Dogana e Kosovës kanë konfirmuar për “Zërin” se vetëm këtë vit janë importuar 81 mijë kilogramë mjete piroteknike, vlera e të cilave po del të jetë 6.3 milionë euro.