Mosrritja e pagave ashtu siç u ishte premtuar ka zhgënjyer punëtorët shëndetësorë në vend, të cilët edhe më shumë kanë shprehur interesim për të ikur nga vendi. Fluksi i ikjes së mjekëve thuhet se tashmë ka filluar të rritet
Ligji për Paga parashihte rritje të pagave deri në 100 për qind për mjekët specialistë. Me Ligjin e Ri për Paga, të cilin e pezulloi Gjykata Kushtetuese, mjekët specialistë që janë paguar 661 euro ishte e paraparë të paguheshin 1 mijë e 195 euro, mjekët specialistë të mjekësisë familjare nga 615 euro sa janë paguar do të paguheshin 1 mijë e 195 euro, mjekët në specializim nga 566 euro në 872 euro, mjekët e përgjithshëm nga 566 euro do të paguheshin 836 euro, kryeinfermierët nga 472 në 621 euro, infermierët e parë nga 425 në 537 euro, ndërsa infermierët e dytë nga 377 euro sa janë paguar do të paguheshin 525 euro.
Pas pezullimit të Ligjit për Paga kishte reaguar edhe ministri në largim i Shëndetësisë, Uran Ismaili, i cili kishte thënë se vendimi i Kushtetueses rrezikon përpjekjet për ndaljen e ikjes së punëtorëve shëndetësorë nga vendi. Ai ishte shprehur i zhgënjyer me zvarritjen dhe me pezullimin e këtij ligji./ZERI