Buxheti për vitin 2020 është finalizuar nga Ministria e Financave.
Muharrem Shahini, drejtor i Zyrës për Komunikim në Ministrinë e Financave, i ka thënë gazetës se kjo ministri me kohë i ka ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë për draftimin e buxhetit për vitin 2020. “Ministria e Financave me kohë ka ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë që ta draftojë buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020.
Andaj, buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2020 është i finalizuar dhe vetëm pritet për miratim në Qeverinë e Kosovës”, ka thënë ai për “Zërin”.
Shahini bëri të ditur se nuk ndonjë afat të përcaktuar ligjor se deri kur mund të miratohet buxheti për vitin 2020 nga Qeveria.
“Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe të Përgjegjësive nuk parasheh ndonjë afat ligjor se kur duhet të aprovohet në Qeveri, e parasheh afatin që deri më 31 tetor duhet të dërgohet në Kuvend, por në rrethanat e reja që jemi tani ne ende nuk kemi kuvend dhe nuk kemi mundësi që ta dërgojmë në kuvend draftbuxhetin e vitit 2020”, ka thënë më tutje ai.
Ndërsa duke folur për procedimin e buxhetit në qeveri, Shahini potencoi se një gjë e tillë nuk krijon ndonjë efekt juridik, pasi që, sipas zyrtarit të financave, i njëjti ligj duhet t’i kalojë procedurat edhe në Kuvend, shkruan tutje “Zëri”
“Është çështje që duhet vlerësuar, pasi nuk kemi Kuvend. Procedimi i buxhetit vetëm në qeveri nuk krijon ndonjë efekt juridik pa i kaluar procedurat në Kuvend dhe të shpallet në Gazetë Zyrtare.
Vlen të theksohet se edhe ligjet të cilat kanë qenë në procedurë në Kuvend dhe nuk janë aprovuar, të gjitha i janë kthyer Qeverisë. Ligji për Menaxhimin e Financave Publike i parasheh situatat alternative të implementimit të buxhetit të vitit paraprak në rast së nuk aprovohet buxheti për vitin vijues”, ka thënë më tutje ai.