Mbi një miliard e njëqind milionë euro pritet t’i kushtojë buxhetit të vendit Autostrada e Dukagjinit, e cila po vazhdon të kundërshtohet madje edhe nga ish-ministra të kabinetit qeveritar, të cilët kanë iniciuar projektin dhe po këmbëngulin për realizimin e tij, shkruan gazeta “Zëri”.
Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka thënë për “Zërin” se Kuvendi patjetër duhet ta miratojë buxhetin, në të cilin përfshihet edhe Autostrada e Dukagjinit.
“Projekti i Autostradës së Dukagjinit është në përfundim e sipër dhe në rast të miratimit të buxhetit mund të fillohet me procedura të realizimit menjëherë. Ne do të luftojmë fuqishëm që Kuvendi ta miratojë buxhetin me autostradën në të dhe nuk duam të besojmë se dikush ia dëshiron Dukagjinit të keqen dhe stopon zhvillimin e këtij rajoni”, ka thënë Lekaj.
Duke folur mbi koston e realizimit të kësaj autostrade, ai nuk tregoi shifër konkrete.
“Kostoja e saj do të varet nga ofertuesit që do të konkurrojnë në tenderim dhe çmimet e shpronësimit që janë përgjegjësi e Ministrisë së Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor dhe e Ministrisë së Financave. Aktualisht punët në proces janë në drejtim të Mitrovicës, të Gjilanit dhe të Podujevës”, ka thënë tutje ai.









