Pandemia Covid-19 ka ndikuar negativisht në punën e shumë bizneseve kosovare, mirëpo industria e teknologjisë informative (TIK) dhe ajo e shërbimeve (Outsourcing) ka shënuar rritje drastike në këtë periudhë.
Sipas një hulumtimi të bërë nga Kolegji Universum lidhur me shkathtësitë më të kërkuara te punonjësit nga komnpanitë, shumica e kompanive kanë renditur shkathtësitë që lidhën me funksionin e mirëmbajtjësit softuerik kompjuterik, harduerin dhe rrjetin e internetit të kompanive.
Valdrin Dervishaj profesor në Universum dhe inicues i këtij hulumtimi tha për Buletinin Ekonomik se arsyet që ky lloj profili profesional shfaqet shpesh, është se individi shumë i kualifikuar me formim në TIK është njëri ndër profesionet që është në kërkesë të lartë nga industria në rritje e TIK-ut dhe ‘outsourcing’.
Kjo pasi kompanitë që bëjnë zhvillime softuerike në Kosovë tërheqin profesionist me aftësi të larta dhe më përvojë të TIK-ut duke u ofruar paga të larta dhe sipas Dervishajt është shumë e vështirë për kompanitë e tjera t’i rekrutojnë këto profesione. Përveç këtyre, Dervishaj thotë se edhe profesioni i SEO-së dhe E-commerce vazhdojnë të mbesin edhe më tutje si profesionet të kërkuara.
Në bazë të rezultateve të këtij hulumtimi del se përformanca e bizneseve në Kosovë gjatë pandemisë ka qenë më e keqe krahasuar me vitin paraprak. 49.1 për qind e ndërmarrjeve të anketuara kanë thënë se kanë pasur përformancë më të keqe, 19.9 për qind kanë theksuar se kanë pasur përformancë të njëjtë dhe 28.6 për qind kanë pasur përformancë më të mirë se në vitin paraprak.
“Ky është një tregues që ndikimi i COVID-19 në kompanitë e Kosovës është i dukshëm dhe ato duhet të adaptohen situatës së re. Shto këtu se rezultatet tregojnë se 65.8% e të anketuarve kanë përjetuar punë në distancë.” u shpreh Dervishaj.
Madje, të anketuarit për t’iu adaptuar zhvillimeve të fundit, për punë nga shtepia nuk kishin marrë trajnime të duhura për teknologji, pasi vetëm 18 për qind kanë deklaruar se kanë marrë pjesë në ndonjë trajnim të tillë.
Mirëpo, rezultatet tregojnë se 71 për qind e të anketuarve kishin fituar aftësi të reja gjatë pandemisë. Për këtë Dervishaj thotë se ky është një tregues për ngritjën e nevojës për Up-skilling dhe re-skilling të resurseve humane në të ardhmën në Kosovë, prandaj angazhimi online në punë tashmë është një realitet të cilit duhet t’i adaptohemi.
Sipas hulumtimit, gjithësej 25 për qind e ndërmarrjeve gjatë pandemisë kishin shkurtuar stafin, ndërsa 67 për qind e tyre kanë mbajtur stafin në punë dhe 8 për qind nuk kanë dhënë kurrfarë përgjigjie. Ndërkaq 26 për qind e të punësuarve janë përgjigjur se kanë pasur ulje të pagave, ku vetëm 69 për qind e tyre kanë thënë se paga ka qenë e pandryshueshme gjatë kësaj përiudhe.
“Me qëllim të dëshmimit të nivelit të të anketuarve që kanë përjetuar punë në distancë, ne zbulojmë se 65.8% e të anketuarve kanë përjetuar punë në distancë, 30.4% nuk kanë përjetuar punë në distancë, dhe 3.7% nuk kanë përgjigje. Kjo tregon një pjesë të madhe të punonjësve që kanë përjetuar punën në distancë. Poashtu, ne i kemi pyetur të anketuarit nëse ata ndihen më të stresuar në punë gjatë pandemisë.
Rezultatet tregojnë se 64% ndjehen të stresuar në punë më shumë gjatë pandemisë krahasuar me 20% që nuk ndihen më të stresuar në punë, dhe pjesa tjetër është neutral”, tha tutje profesori i Univerum-it, Valdrin Dervishaj.
Gjithashtu 52 për qind e punonjësve kanë konsideruar se situata pandemike, po u shkakton stres në punë. Por, si sfidë më e madhe sipas Dervishaj është edhe arsimi i ulët digjital i popullatës në vënd. Ndryshe, vlerësimet e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) janë që tregtia botërore do të pësojë një tkurrje prej 13% deri 32%.
Megjithatë, statistikat nga sektori i biznesit tregojnë se ka një rritje të ndjeshme të tregtisë online si në vend ashtu edhe në regjion. /Buletini Ekonomik/ Blendrita Avdiu/









