Para se të dorëzojë detyrën, me sa duket Ministri Pal Lekaj ka vendosur që të shtojë edhe një tjetër skandal në portofolin e tij. Ministria që ai udhëheq ka marrë vendim që t’u dhurojë 9 milionë euro nga arka e shtetit kompanive ajrore që operojnë në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, krejt kjo në emër të rritjes së numrit të udhëtarëve në këtë aeroport dhe rritjes së konkurrueshmërisë me rajonin.
Sekretari i kësaj ministrie, Betim Reçica, më datën 24 të muajit shtator të këtij viti kishte nënshkruar vendimin për themelimin e një ekipi për hartimin e projekt-propozimit për fuqizimin e programit nxitës në Aeroportin “Adem Jashari”.
EkonomiaSot mëson se krejt kjo do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 9 milionë euro. Sipas burimeve brenda ekipit, rekomandimi përfundimtar ishte që të themelohet një skemë nxitëse me nga 3 milionë euro për çdo vit, e cila do të zgjasë për tre vite radhazi.
Në vendimin që ka siguruar EkonomiaSot, thuhet se ekipi do të punojë në hartimin e këtij projekt propozimi i cili do të mundësojë konkurrueshmërinë, të rris numrin e udhëtarëve, si dhe të zvogëlojë koston e biletave të udhëtimit.
“Ekipi do të punoj në përgatitjen e projekt-propozimit për fuqizimin e Programit Nxitës në Aeroportin Ndërkombëtartë Prishtinës për zhvillimin e tregut të transportit ajror gjegjësisht fuqizimin e Programit Nxitës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, me qëllim të rritjes së konkurrueshmërisëtë ANP-së në rajon, rritjes së numrit të avioudhëtarëvedhe të operimeve , rritjes së kualitetit të shërbimevetë transportit ajror si dhe zvogëlimit të kostos për bileta të udhëtimit”, thuhet ndër të tjera në vendim.
Për ministrin e dorëhequr Pal Lekaj, kjo nuk është hera e parë që emri i Ministrit Lekaj bëhet subjekt i skandaleve në sektorin e aviacionit. Ai gjatë mandatit të tij ka emëruar ish këshilltarin e tij drejtor të Aviacionit Civil të Kosovës, Eset Berishën, që përbën një hap tutje drejt kapjes së një institucioni të pavarur.
Poashtu, me të marrë detyrën si ministër i këtij dikasteri, Lekaj i ka ndarë 34 milion kompanisë Limak, e cila menaxhon me Aeroprtin. Kjo ishte bërë në emër të kontratës për zgjatje të pistës së fluturimeve, projekt ky që ishte vlerësuar si korruptiv nga njohës të ekonomisë dhe shoqëria civile. /EkonomiaSot/