Nuk ka zbatim të Ligjit për Pagat – ja sa është numri i punonjësve të shtetit që do të preken nga ky vendim

Zyrtarët Publik nuk do t’i marrin pagat me rritje, së paku në katër muajt e ardhshëm.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur për pezullimin e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik deri më 30 mars të vitit të ardhshëm, duke aprovuar kërkesën e Avokatit të Popullit për caktimin e masës së përkohshme.

Në një vendim të publikuar të enjten, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që Ligji për Pagat të pezullohet menjëherë.

Reklama e sponzorizuar

“Lidhur me kërkesën për masë të përkohshme, Avokati i Popullit, duke u thirrur në dispozitat relevante të Kushtetutës, të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe të Rregullores së punës së Gjykatës, kërkoi që Gjykata Kushtetuese të bëjë ‘pezullimin e menjëhershëm të Ligjit nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik’”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

“Gjykata, pa paragjykim ndaj meritave të kërkesës dhe të kushtetutshmërisë së Ligjit të kontestuar, vendosi, me shumicë votash, që: I. TË MIRATOJË masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 30 mars 2020, nga data e nxjerrjes së këtij vendimi;   II. TË PEZULLOJË MENJËHERË zbatimin në tërësi të Ligjit nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, në kohëzgjatje të njëjtë”, njofton Gjykata Kushtetuese.

Numri i punonjësve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është rreth 82 mijë veta. Paga mesatare në sektorin publik, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2018 ishte 573 euro.

Sipas Ligjit të ri, paga mujore më e ulëta është ajo e shtëpiakut prej 322 euro, 621 euro është paga e mësimdhënësve të shkollës së mesme, profesori i universitetit do të marrë 1.505 euro, kryeprokurori 1. 912 euro, kryeministri 2.151 dhe presidenti i Kosovës nga muaji dhjetor do të marrë pagën mujore në vlerë prej 2.390 eurosh.