Për sa ditë ka rezerva Kosova në rast të krizave, luftës apo fatkeqësive natyrore

Në rast të krizave të mëdha, siç është lufta apo edhe fatkeqësi të mëdha natyrore (sikur tërmeti i tmerrshëm në Shqipëri), Kosova ka rezerva shtetërore të mjaftueshme për qytetarët e saj. Por, deri sa shteti nuk tregon se cilët artikuj i ka në rezerva dhe për sa ditë mbulon nevojat e qytetarëve, njohësit e çështjeve ekonomike thonë se rezervat janë vetëm për pak ditë.

Rezervat shtetërore janë më së të domosdoshme, pasi që në rast të ndonjë situate të jashtëzakonshme, brenda pak ditëve vendi mund të mbetet pa produktet elementare. Kështu edhe Kosova prej vitit 2012 ka filluar të ndajë mjete për rezervat e saj.

Rezervat shtetërore të mallrave krijohen për të ndërhyrë në mënyrë operative për mbrojtjen e popullsisë, ekonomisë në rast të çrregullimit të tregut, mbrojtjes së vendit, në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile, veprimeve terroriste, veprimeve ushtarake në gjendje lufte, të cilat sjellin dëme të menjëhershme e të rënda për jetën dhe shëndetin e popullatës.

Reklama e sponzorizuar

Për herë të fundit draft-plani strategjik i programit vjetor 2019-2021 për rezervat shtetërore të mallrave, është miratuar më 28 dhjetor të vitit të kaluar, shkruan FaktePlus.

“Me planin strategjik të rezervave shtetërore të mallrave përcaktohet: krijimi, furnizimi, ripërtëritja, freskimi, përdorimi, shpërndarja, shitja, këmbimi, dhurimi dhe shfrytëzimi, sasia e deponuar e produkteve të rezervës shtetërore, është e mjaftueshme nëse paraqitet ndonjë kërkesë për intervenim emergjent. Plani strategjik dhe programi vjetor i rezervave shtetërore të mallrave me ligjin e rezervave shtetërore është sekret shtetëror”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media në Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) për FaktePlus.

Mirëpo, në këtë ministri nuk kanë treguar për sa ditë ka rezerva shtetërore Kosova dhe nevojat e sa mijë banorëve mund t’i mbulojë.

“Rezervat shtetërore të mallrave përbëhen nga disa produkte, të cilat kemi konsideruar se janë të rëndësishme për momentin fillestar, që të krijohen. Në bazë të planit strategjik dhe programit vjetor për rezervat shtetërore të mallrave, kriter për përcaktimin e sasisë merret numri i popullatës e cila mund të preket nga ndonjë fatkeqësi dhe lloji i produktit, ku shteti i ndanë sipas prioriteteve të tyre dhe fuqisë ekonomike”, kanë thënë në MTI.

Nga ministria tutje thonë se sa i përket sasisë dhe llojit të produkteve ato janë të siguruara në bazë të ligjit për Rezervat Shtetërore, ku ligji e përcakton si informatë të klasifikuar, prandaj bazuar në ligjin 03/L-244, për rezervat shtetërore lloji, sasia, shuma e mjeteve financiare dhe vlera e rezervave shtetërore të mallrave konsiderohet informatë e klasifikuar dhe nuk publikohen.

“Buxheti për vitin 2019 është ndarë bazuar në programin vjetor 2019 -2021 i cili program është aprovuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës në bazë të mundësive buxhetore, i njëjti vazhdon edhe për vitet në vijim, por bazuar në nenin 8,9,10 të ligjit 03/L-244, lloji, sasi, shuma e mjeteve financiare dhe vlera e rezervave shtetërore të mallrave konsiderohet informatë e klasifikuar”, thuhet në përgjigjen e MTI-së.

Rezervat konsiderohen si shumë të rëndësishme sidomos për një vend si Kosova, që është importues i 90 për qind të produkteve dhe në rast të ndonjë situate të jashtëzakonshme, brenda pak ditëve mund të mbetet pa produktet elementare.

Duke u bazuar në këtë fakt, sipas njohësve të ekonomisë, Kosova duhet të jetë e gatshme në çdo moment sa i përket rezervave shtetërore në rast të fatkeqësive natyrore apo edhe ndonjë bllokade ekonomike.

Por, pavarësisht kësaj njohësi i ekonomisë, Musa Limani, thotë për FaktePlus se në bazë të informative që ka, Kosova ka rezerva shtetërore vetëm për tri ditë.

“Unë me sa kam informata rezervat të cilat i disponon tani shteti i Kosovës mos dhashtë Zoti, por sipas disa informatave që kanë ekspertë të kësaj fushe disa herë më kanë thënë se Kosova ka rezerva shtetërore vetëm për tri ditë”, ka thënë ai.

Ndërkohë ekonomisti Limani kujton se Kosova e ka të obliguar me Kushtetutë që të ketë rezerva shtetërore.

“Me kushtetutë Kosova është e obligueshme të ketë rezerva shtetërore të cilat i duhen për të intervenuar në rastet e fatkeqësive natyrore si vërshimet, dridhjet e tokës e të tjera. Është  e vërtetë se Kosova e ka ligjin mbi rezervat shtetërore dhe normalisht që është e obligueshme që të ketë edhe depo të mjaftueshme për t’i deponuar rezervat, pasi që aty duhet të jenë gjërat më elementare për ekzistencë sidomos ato ushqimore, mandej barnat e ndryshme e të tjera”, ka thënë ai.

Madje ai shton se rezerva shtetërore duhet të ketë edhe në rast të mungesës së ndonjë artikulli.

“Rezervat shtetërore, shtetit i shërbejnë edhe në qoftë se vjen deri te ndonjë çrregullim i tregut të brendshëm p.sh., vjen deri te mungesa e ndonjë artikulli, fjala bjen e miellit, sheqerit, vajit, pra produkteve që janë elementare për ekzistencë për arsye të ndryshme, atëherë shtetit për ta balancuar ofertën dhe kërkesën nxjerr rezervat e veta dhe i qet në treg dhe e balancon ofertën dhe kërkesën dhe në këtë mënyrë ruan mos ngritjen e çmimeve të artikujve kryesorë sepse do të ishte në dëm të konsumatorit”, ka pohuar Limani.

Ndryshe, produktet që konsiderohen si rezerva shtetërore, menaxhohen nga Departamenti i Rezervave Shtetërore, që është në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Ndërsa sipas legjislacionit, kontraktohen operatorët ekonomikë privat për ruajtje, të cilët po ashtu mbikëqyren vazhdimisht, kurse vendndodhja e tyre sipas ligjit në fuqi, mbetet sekret shtetëror.

Përveç rezervave shtetërore të mallrave, Qeveria e Kosovës për çdo vit ndan edhe rezerva shtetërore buxhetore. /FaktePlus/