Kandidati rus nuk kalon, raportues për Kosovën në Këshillin e Europës zgjidhet gjermani Peter Meyer

Protesta e Kosovës dhe lobimi i delegacionit kosovar ka rezultuar me moskalimin e kandidatit rus për raportues për Kosovën në Këshillin e Europës, Aleksey Kondratjev, ish spiun rus dhe tani anëtar i Asamblesë Parlamentare Europiane.

Këshilli i Evropës duhej të zgjidhte raportuesin për Kosovën ku në mesin e kandidatëve ishte edhe rusi Aleksey Kondratjev, që ishte spiun i Rusisë dhe kishte shprehur hapur animin e tij pro-serb dhe paragjykimet e tij antishqiptare. Metro ka mësuar se kjo nuk do të ndodhë tani dhe se njoftimi zyrtarë do të bëhet sot publik.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë merret vesh se kandidati gjerman, Peter Meyer është përzgjedhur raportues për Kosovën në Këshillin e Europës.

Kandidati për raportues special në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës për Kosovën, Aleksej Kondratjev tha se kundërshtimi i Prishtinës për zgjedhjen e tij nuk përbën ndonjë risi dhe se duhet të kuptohet mentaliteti i shqiptarëve të Kosovës, transmeton Koha.net deklaratën e tij dhënë Sputnjikut, portalit prorus në Serbi.

Kondratjev i tha këtij portali se që nga momenti i hyrjes së njësisë ruse në përbërje të KFOR-it në territorinm e Kosovës, shqiptarët janë sjellë shumë negativisht ndaj rusëve dhe në çdo mënyrë kanë bërë me dije se nuk janë të gatshëm për dialog e bashkëpunim.

Shqiptarët, siç citohet të ketë thënë ai, kanë preferuar që në vend të rusëve të jetë kontingjenti amerikan, prandaj për të kjo sjellje e tyre nuk është e habitshme.

Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës sot duhet të vendosë për zgjedhjen e raportuesit të ri për Kosovën, dhe njëri nga tre kandidatët për këtë post është Kondratjevi, emri i të cilit ka shkaktuar reagime shumë negative në Prishtinë, rikujton Koha.net.

Ndër të tjera është paralajmëruar nga zyrtarët e Kosovës se nuk do të bashkëpunojnë me të.