Sindikata e Policisë së Kosovës ka pezulluar grevën.
Sot në selinë e Sindikatës së Policisë së Kosovës në Prishtinë, është mbajtur takim i jashtëzakonshëm i Këshillit Drejtues të Sindikatës se Policisë së Policisë së Kosovës.
Temë e këtij takimi ishte situata e re e krijuar pas pezullimit të Ligjit të pagave nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.
Përmes një njoftimi për media, bëhet e ditur se në këtë takim është diskutuar dhe është marrë parasysh situata në të cilën po kalon vendi dhe mbi bazën e kësaj, Këshilli Drejtues i Sindikatës së Policisë së Kosovës ka marrë vendim që të pritet greva deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.
“Kjo bazuar në atë se Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, vendimet e Gjykatave të Republikës së Kosovës nuk i interpretojmë apo diskutojmë, por kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese që çështjen e ligjit të pagave ta trajtoj me prioritet”, thuhet në njoftim, transmeton Koha.net.
Tutje, në njoftim thuhet se nga Institucionet e vendit kërkojnë që të gjitha të drejtat dhe obligimet që burojnë nga ligji i pagave të zbatohen në mënyrë retroaktive nga data e hyrjes në fuqi e këtij ligji.
“Gjithashtu në këtë takim në mënyrë unanime është marrë vendim që të mbahen takimet me bartësit e institucioneve të vendit që të realizohen kërkesat e kamotshme të Sindikatës të Policisë së Kosovës e që janë më poshtë”, thuhet në njoftim.
-Sigurimi shëndetësor
-Sigurimi Jetësor dhe aksidental
-Ligji për pensionimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës (ligj ky i cili është duke u zvarritur që një kohë të gjatë).
-Pagesën e ndërrimit të natës në mënyrë të dinjiteteshme
-Pagesën e shujtës dhe të transportit për pjesëtaret e policisë se Kosovës
“Në fund këshilli drejtues i Sindikatës të Policisë së Kosovës përkrah kërkesat e ligjshme të sindikatave ,si Sindikata e Arsimit SBASHK-ut dhe Sindikatën e shëndetësisë FSSHK-ën”, përfundon njoftimi.