Pse autostradat e Kosovës mbetën pa pushimore

Miliarda euro janë dhënë për ndërtimin e Autostradës “Ibrahim Rugova” dhe asaj “Arbën Xhaferi”. Por, edhe pasi janë lëshuar për qarkullim, ato mbeten të pakompletuar me infrastrukturën përcjellëse. Me standardet evropiane, në Autostradë duhet të ndërtohen edhe pushimoret ku parashihet të ketë pompa të derivateve, restauronte, parking, kënde të lojërave për fëmijë dhe hapësira të gjelbëruara.

Mirëpo, këto ende nuk kanë filluar të ndërtohen pasi procedurat e kompletimit të dosjes janë stërzgjatur nga ana e institucioneve kompetente.

Madje, shenjat që tregojnë vendet e planifikuara për ndërtimin e pushimoreve, janë të mbuluara tash e sa vjet.

Reklama e sponzorizuar

Megjithatë, në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit, thonë se tashmë i kanë kryer të gjitha procedurat, porse zhvillimi i tyre i mbetet qeverisë së ardhshme.

Zyrtarja për media në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit, Fillojetë Konjuhi, në një përgjigje për FaktePlus, ka thënë se tanimë janë përgatitur gjithë dokumentacionin për vendosjen e 12 stacioneve të shërbimit në Autostradën “Ibrahim Rugova” dhe Autostradën “Arbën Xhaferi”.

“Sa i përket këtij projekti, synimi i MIT-së është ndërtimi i vendeve për ofrimin e shërbimeve përgjatë Autostradave 6 dhe 7 (në total 12 Stacione të Shërbimit në 6 Lokacione të përcaktuara me projekt, nga një në secilën anë) në lokacionet e paracaktuara në seksionin Morinë dhe aksin rrugor të Gjurgjicës, Besi, Marec dhe Doganaj, ku MIT ka përgatitur dokumentet e nevojshme të cilat janë përcjellë për miratim te Njësia Qendrore e PPP-së dhe me datë 12.07.2019 janë miratuar me Vendim edhe të Komitetit Drejtues ndërministror për PPP”, ka thënë ajo, shkruan FaktePlus.

Por, pavarësisht përgatitjes së gjithë dokumentacionit, procedurat e mëtutjeshme kanë mbetur për t’u zhvilluar nga qeveria e ardhshme.

“Duke pasur parasysh zhvillimet politike në vend, ky projekt do të duhet që të zhvillohet pas formimit të Qeverisë. Kriteret dhe kushtet për ofertim janë të parapara në kuadër të dokumentacionit i cili është miratuar nga ana e KDN-së për PPP. Të gjitha lokacionet janë caktuar prej MIT-së në segmentet e Autostradave 6 dhe 7, janë të shpronësuara dhe janë pronë e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka theksuar Konjuhi.

Kritika për vonesat në shpalljen e tenderit për ndërtimin e pushimoreve, në të cilat do të ndërtohen edhe pompa të derivateve, kanë dhënë nga Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka thënë për FaktePlus, qeveritë e kaluara nuk kanë pasur interesim që ta shpallin tenderin për ndërtimin e pushimoreve dhe vendosjen e pompave të derivateve në Autostradën “Ibrahim Rugova”.

“Sa i përket ndërtimit të pikave në Autostradë interesi është i madh dhe konkurrenca e madhe. Besoj që qeveria e ardhshme nuk do të punoj në mënyrë selektive për interesa të disa kompanive, por do të jemi të gjithë të barabartë. Në një far forme s’ka pas interesim nga institucionet për këtë problem, se ka mjaft pika karburanti në Kosovë. Kjo ka qenë arsyeja për mendimin tim”, ka thënë Berjani.

Në Kosovë që nga paslufta janë ndërtuar pompa të derivateve duke mos respektuar standardet evropiane.

Për këtë Berjani shpreson që qeveria e ardhshme do t’i marrë parasysh kërkesat e tyre dhe ndërtimi i pompave të derivateve të jetë sipas kritereve të Bashkimit Evropian.

“Ne jem shteti ma i vogël në Evropë me më së shumti pika karburanti. Besoj se qeveria e re Kurti do t’i merr parasysh kërkesat tona që të respektohen standardet e BE-së që të ketë kritere në ndërtimin e pikave të karburantit ku kriter në BE është largësia prej pikës të karburantit në pikën tjetër. Në rrugë komunale, largësia 5 kilometra, në rrugë magjistrale largësia 10 kilometra dhe në autostradë largësia 20 kilometra”, theksoi Berjani.

Ndërsa, në Autostradën “Ibrahim Rugova” janë respektuar standardet evropiane, pasi vendosja e pompave të derivateve do të jetë duke respektuar standardet e BE-së.

Ndërtimi i Autostradës “Ibrahim Rugova” thuhet se i kushtoi buxhetit të Kosovës rreth 800 milionë euro, derisa në qarkullim është lëshuar në nëntor të vitit 2012. Kurse ndërtimi i Autostradës “Arbën Xhaferi” thuhet se i ka kushtuar buxhetit të shtetit mbi 700 milionë euro dhe është lëshuar për qarkullim më 29 maj të vitit 2019. /FaktePlus/