Ligji për Paga ka hyrë në fuqi i cili rregullon pagesën e të punësuarve që marrin paga nga buxheti i shtetit.
Por mbi 60 mijë punëtorë ende nuk e kanë të sigurt që në fund të dhjetorit do t’i marrin pagat me rritje.
Lulëzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave, në një intervistë për Ekonomia Online tha se Ligji për Paga ka hyrë në fuqi nga 1 dhjetori dhe se të gjithë të punësuarit në sistemin publik të vendit do të marrin pagat me rritje.
Por Rafuna thotë se nëse Avokati i Popullit vendos që ta dërgojë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, atëherë do të kthehet në implementim ligji i vjetër, duke siguruar që të gjithë punonjësit shtetërorë do të marrin pagat por pa rritje.
“Të gjithë shërbyesit publikë që marrin paga nga buxheti i shtetit në fund të muajt dhjetor do t’i marrin pagat sipas Ligjit të ri derisa ky është në fuqi. Ligji ka hyrë në fuqi më 1 dhjetor dhe deri me sot ky ligj është në fuqi dhe nuk kemi asnjë njoftim zyrtar që ligji nuk është në fuqi”.
“Në rast se ndodh që Avokati i Popullit ta dërgon në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo gjykatë sjell ndonjë aktvendim me të cilin do ta pezullojë një pjesë të tij apo në tërësi ligjin, atëherë do të veprojmë konform këtij vendimi të Kushtetueses”.
“Mirëpo deri sa nuk kemi ndonjë njoftim zyrtar dhe një aktvendim të tillë nga Kushtetuesja ose njoftim nga Avokati i Popullit ne do ta implementojmë ligjin që ka hyrë në fuqi më 1 dhjetor”, thotë ai, raporton EO.