Kallëzim penal ndaj Universumit për tejkalimin e kuotës së lejuar për regjistrimin e studentëve

Kallëzim penal ndaj Kolegjit Universum, për tejkalim të numrit të studentëve të regjistruar, ka ngritur Inspektorati i Arsimit që vepron në kuadër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT). Kallëzimi penal është bërë muaj më parë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Këtë e kanë konfirmuar burime të gazetës brenda MASHT-it dhe nga Prokuroria. Sipas një përgjigjeje me shkrim të Prokurorisë Themelore, rasti ndodhet në fazën e procedurës hetimore, shkruan sot “Koha Ditore”.

Reklama e sponzorizuar

“Duke ju referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, lidhur me Kolegjin Universum, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndërmarrë veprime hetimore për grumbullimin e informatave dhe provave në sqarimin e kësaj çështjeje. Aktualisht, rasti ndodhet në fazën e zhvillimit të procedurës hetimore”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Zyra për marrëdhënie me publikun e Kolegjit Universum ka theksuar se bëhet fjalë për një tejkalim shumë të vogël të studentëve, por nuk ka treguar saktë numrin. Sipas këtij kolegji, tejkalimi ka ndodhur si rezultat i një gabimi të tyre në transferim të studentëve në Sistemin e Menaxhimit të Informatave të Arsimit të Lartë (SMIAL). Kjo platformë, në të cilën futen të dhënat e studentëve të të gjitha institucioneve të arsimit të lartë të akredituara në Kosovë, menaxhohet nga Departamenti i Arsimit të Lartë i Ministrisë.