Rasti Pronto: Politika e punësimit në Kosovë akoma karakterizohet me nepotizëm

Në fjalën përfundimtare të saj, në seancën e së hënës, prokurorja speciale Drita Hajdari ka thënë se politika e punësimit në Kosovë akoma karakterizohet me nepotizëm, çka sipas saj po e rrënon imazhin e Kosovës.

Këtë deklarim prokurorja Hajdari e tha në gjykimin e rastit të njohur “Pronto”, ku po akuzohen ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ish-deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti, dhe tetë të akuzuar të tjerët, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Reklama e sponzorizuar

“Veprat penale nga aktakuza janë kryer në vitin 2011. Nuk është sekret që politika e punësimit në Kosovë akoma karakterizohet me nepotizmin që e rrënon imazhin e Kosovës në botë, duke na krahasuar me vendet me të dobëta në botë”, ka thënë Hajdari.

Sipas saj, gjykata ka mundësi që përmes ndëshkimit të të akuzuarve, të ndikojë në parandalimin e veprave penale të tilla në të ardhmen.

“Me shpalljen fajtor dhe dënimet e të akuzuarve gjykata ka mundësi të mirë që përmes ndëshkimit të të akuzuarve të ndikojë në parandalimin e veprave penale të tilla në të ardhmen, që rastet e tilla të mos përsëriten”, ka përfunduar fjalën e saj përfundimtare prokurorja Hajdari.

Ndryshe, gjatë fjalës së saj, prokurorja speciale ka thënë edhe se rasti “Pronto” nxori në dritë faktin se të gjithë ata që duan të punësohen, duhet pasur ndonjë politikan të fuqishëm dhe se është vërtetuar se të akuzuarit kanë shkelur edhe normat morale të shoqërisë.

Fjala përfundimtare për këtë rast është duke vazhduar edhe me të akuzuarit tjerë.

Ndryshe, në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës, duke e lënë kështu në fuqi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, në aktvendimin e kundërshtuar, gjykata e shkallës së parë, ka dhënë në mënyrë të mjaftueshme për këtë fazë të procedurës penale, arsye lidhur me dyshimin e bazuar mirë, rreth provave të kundërshtuara, dhe se drejt ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme në aspektin ligjor-procedural, për të vazhduar më tutje. Sipas Apelit, se a do të vërtetohet fajësia e tyre, mbetet të shqyrtohet gjatë fazave të ardhshme të procedurës penale dhe shqyrtimit kryesor të çështjes, e që në këtë fazë të procedurës penale fajësia nuk mund të supozohet as nga gjykata, e as nga palët.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 3 prill 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Adem Grabovcit, Besim Beqajt, Zenun Pajazitit dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, pasi që kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.