Diskutimi për kërkesat e grupit “Marakli t’kerreve”, lidhur me vendimin për rritje të tarifave për sigurim të automjeteve prej 26 për qind, e që javën e kaluar u shty për një javë si shkak i tërmetit në Shqipëri, javën që po vjen pritet ta marrë epilogun e duhur.
Grupi Marakli t’kerreve patën paralajmëruar sërish protesta pas asaj të fundit më 22 nëntor, në rast se BQK-ja nuk e anulon vendimin e saj për rritjen e tarifave për regjistrimin e veturave prej 26 për qind, përcjell Buletini Ekonomik.
Pasi ultimatumi i tyre ndaj BQK-së ka një javë që ka përfunduar, Buletini Ekonomik ka kërkuar sqarime nga grupi në fjalë, pra Marakli t’kerreve, rreth hapave që ata do të ndërmarrin më tutje në lidhje me vendimin e BQK-së për këtë rritje të tarifave dhe se pas një jave a qëndrojnë ende prapa kërkesave të tyre siç edhe kanë proklamuar në publik.
Në lidhje me këtë çështje, përfaqësuesi i grupit Marakli t’kerreve, Agan Hajdarhoxha ka thënë për Buletinin Ekonomik se ata kanë autorizuar një avokat që të merret me çështjen e tyre dhe nga java e ardhshme priten edhe hapa konkretë drejt kërkesave të tyre.
Gjithashtu, ata kanë potencuar edhe se i qëndrojnë prapa kërkesës së tyre gjithmonë dhe se vazhdojnë të jenë kundër vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për rritjen e tarifave për sigurim të automjeteve prej 26 për qind.
“Ne e kena autorizu nje Avokat me u marr me qeshtjen tone, ka java e ardhshme besoj qe bojme diqka. Prapa kerkeses jemi gjithmone edhe vazhdojme te jemi kunder vendimit te BQK-se per rritje prej 26%”, thuhet në përgjigjet e Marakli t’kerreve. /Buletini Ekonomik/