SKANDAL: Policia konfiskon 3200 kilogramë mish dhe 7 krerë lopë në Sigë të Pejës
Rreth 3200 kilogramë të llojeve të ndryshme të mishit dhe 7 krerë lopë janë konfiskuar mbrëmjen e së shtunës në fshatin Sigë të komunës së Pejës.
Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.
“Gjatë bastisjes në një depo janë gjetur të deponuara lëkura të kafshëve dhe rreth tre mijë e dy qind (3200) kilogramë lloje të ndryshme të mishit, dhe në stallën e këtij objekti janë gjetur shtatë (7) krerë lopë dhe gjedhe pa numër identifikues”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, pasi që janë njoftuar nga policia, në vend të ngjarjes kanë dalë inspektoret e AUV-së dhe doganierët.
“Pas verifikimit të objektit nga inspektorët është konstatuar se depoja në fjalë nuk i plotëson kushtet higjieno-sanitare dhe janë vendosur vulat zyrtare (bllombat) në dyert e depos deri sa të krijohen kushtet për asgjësim, ndërsa shtatë krerë lopë dhe gjedhe janë konfiskuar pasi që nga i dyshuari nuk është prezantuar ndonjë dokument për identifikimin e prejardhjes së tyre”, thuhet në njoftim.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, ndaj të dyshuarit është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48- orësh.