Shkrimtari e publicisti Veton Surroi i është rikthyer edhe njëherë çështjes së kostos së autostradës së Kosovës, të cilën e ka ndërtuar “Bechtel & Enka”.
Kësaj here ka bërë një krahasim me një autostradë që i njëjti konsorcium e ka marrë për ta ndërtuar në Serbi. Surroi ka gjetur se një kilometër autostradë me tre korsi në Serbi do të kushtojë 6.86 milionë euro, derisa në Kosovë supozohet se një kilometër me dy korsi kushtoi për më shumë se dyfishin e kësaj shume.
“‘Bechtel & Enka’ nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradës së Moravës në Serbi, prej gjashtë korsish e 110 kilometrash në vlerë 755 milionë euro. ‘Bechtel & Enka’ ndërtoi në Kosovë autostradën Morin-Arllat, prej 64 kilometrash për, supozohet (sepse ende është sekret) një miliard euro”, ka shkruar Surroi.
“Kilometri i autostradës (me gjashtë korsi) në Serbi nga i njëjti konktraktues do të kushtojë 6.86 milionë euro ndërsa në Kosovë (supozohet se) kushtoi 15.6 milionë euro”, ka shtuar më tej ai.