Punëtorët teknikë ndihen të mashtruar nga kryetari Ahmeti

Disa dhjetëra punëtorë teknikë të shkollave të Prishtinës dhe punëtorët e sigurimit të qendrave mjekësore familjare të Prishtinës, të përkrahur edhe nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat, kanë protestuar të mërkurën para objektit të Komunës, duke thënë se po ndihen të mashtruar nga kryetari Shpend Ahmeti, sepse u kishte premtuar për realizmin e kërkesave të tyre, dhe kjo nuk po ndodh.

Dy kërkesat bazike të tyre janë: rritja e pagës prej 4 për qind që nga janari i vitit të kaluar, si dhe rikthimi i kësaj kategorie të punëtorëve nën menaxhimin e Komunës, pasi që privatizimi i shërbimeve të tyre para disa vjetësh është bërë pa mbështetje ligjore, shkruan sot Koha Ditore.

Reklama e sponzorizuar

Në mungesë të realizmit të këtyre kërkesave, ata po kërcënojnë me hyrjen në grevë të përgjithshme, që nga java e ardhshme, nga e cila nuk do të dalin deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Të tubuar para objektit të Komunës së Prishtinës, me pankarta në duar, në të cilat thuhej, “Ndal diskriminimin e punëtorëve në sektorin privat”, “Paguaj borxhin”, “Respekto ligjin, na kthe nën menaxhim të Komunës”, ata kanë protestuar nën mbikëqyrjen e Policisë së Kosovës, e cila gjatë tërë kohë së protestës ka qëndruar para hyrjes së objektit.