Toka 5-milionëshe është tjetërsuar jashtëligjshëm nga gjykata

Rreth shtatë muaj pasi Kosova ka shpallur pavarësinë, Gjykata e dikurshme e Qarkut e ka konsideruar shtetin e Serbisë si pronare të mundshme të pronave në Kosovë, shkruan sot Koha Ditore.

Pronat e ndërmarrjeve shoqërore nga paslufta i kanë kaluar në mbikëqyrje Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). AKP-ja ligjërisht është institucioni i vetëm që mund ta shesë ose ta japë në shfrytëzim këtë pronë. Megjithatë, në këtë rast nuk është ftuar fare si palë në gjykatë.

Reklama e sponzorizuar

Si palë, nga gjyqtarja Olga Janicijeviq, sipas aktgjykimit dhe dokumenteve të tjera që posedon gazeta, është ftuar përfaqësuesi i shtetit të Serbisë dhe përfaqësues i kompanisë “Shipad Comerc”. Pasi këto dy “palë” nuk janë paraqitur në seancë, prona i ka kaluar Zhivkoviqit.

Kjo pronë me sipërfaqe rreth 2 hektarë gjendet në zonën industriale në Prishtinë. Gazeta ka pyetur për çmimin e pronave në atë pjesë. Disa biznese i kanë thënë gazetës se një ari në këtë pjesë sillet prej 25 deri 30 mijë euro. Me një çmim të tillë vlera e kësaj prone tejkalon shumën 5 milionë euro.

Zhivkoviq, serb që jeton në Bosnjë, sipas dokumenteve ekskluzive që ka siguruar “Koha Ditore”, pretendon se shteti i Serbisë ua ka marrë paraardhësve tij këtë pronë gati 80 vjet më parë.