Kosova ende nuk është pjesë e Kartonit të gjelbër dhe këtë më së shumëti po e vuajnë bashkatdhetarët. Ata paguajnë në kufi, ndonëse veturat e tyre nuk janë të siguruara gjatë pushimeve në Kosovë.
Megjithatë, kush e ndalon shtetin e Kosovës të mos ua njohë Kartonin e gjelbër mërgimtarëve që sjellin dëshmi se kompania e sigurimit prej shtetit nga vjen merr përsipër dëmet e shkaktuara edhe në Kosovë.
Sigurimi kufitar mbulon vetëm dëmet minimale që automjeti me targa të huaja do t’ia shkaktonte palës tjetër në rast aksidenti. Kurse për dëmet tuaja, pavarësisht llojit të sigurimit, qoftë ai edhe kasko, duhet bërë llogari tjetër, atë me sigurimin e shtetit nga ku vjen. Dhe nëse nuk e ke të sqaruar këtë më parë, lindin telashet. Jo çdo klient është i vetëdijshëm se dëmtimi i veturës në Kosovë, qoftë ai edhe me sigurim kasko nga shteti prej ku vjen, nuk nënkupton kompensim automatik të dëmit. Së paku jo për një numër të madh kompanish të sigurimeve zvicerane. Pasi që pjesa më e madhe e tyre nuk mbulojnë territorin e Kosovës me arsyetimin se ky vend nuk është anëtar i Byrosë së Sigurimeve Ndërkombëtare. Kompanitë e sigurimeve zvicerane nuk kanë qëndrim unik rreth vlefshmërisë së Kartonit të Gjelbër në Kosovë. Në faqen zyrtare të Byrosë së Sigurimeve Zvicerane (NVB) është shkruar, ku ngasësve të automjeteve u tërhiqet vërejtja se Kartoni i gjelbër në Kosovë nuk vlen. “Ju lutem të keni parasysh, që jo vetëm sigurimi juaj por as “Byroja e Sigurimit Nacional të Zvicrës” (NVB) nuk marrin përgjegjësi për dëmet e shkaktuara në këtë vend. Informacionet dhe dëmshpërblimet duhet t’i kërkoni te Sigurimi Kufitar i Kosovës”.
Duke marrë këtë për bazë dhe raste të tjera, del që jo të gjitha sigurimet e Zvicrës mbajnë qëndrim unik në lidhje me vlefshmërinë e sigurimit në territorin e Kosovës. Rastet kur sigurimet zvicerane nuk kanë pasur qëndrim unik, ku njëri ka marrë përsipër për klientët e tij dëmet e shkaktuara në Kosovë dhe tjetri nuk i ka pranuar ato për shkak se Kosova nuk është e anëtare e Zyrës Ndërkombëtare të Sigurimit, nuk janë të pakta.
Çmimet
Qytetarët që duan të udhëtojnë me veturat e tyre në vendet e ndryshme të Evropës, duhet të paguajnë çmime të larta për polisën e sigurimeve në vendkalimet kufitare të vendeve anëtare të BE-së. Çmimet janë të larta, thonë ata, 15 dhe 20 euro, varësisht në cilën pikë kufitare mund të jetë blerë ajo.
Ndërkohë, deri në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Byrove të Evropës, të gjitha veturat me tabela të huaja, të cilat hyjnë në territorin e Kosovës, sipas ligjeve në fuqi, duhet të paguajnë, gjithashtu, një shumë për tarifat e sigurimeve kufitare, varësisht nga lloji i automjetet dhe koha e qëndrimit në Kosovë.
Sipas të dhënave, rreth 10 milionë euro llogaritet të jetë vlera vjetore e grumbulluar nga tarifat e sigurimeve kufitare në Kosovë. Të gjitha këto mjete grumbullohen në Byronë e Sigurimeve të Kosovës, e më pas ato shpërndahen tek kompanitë e sigurimeve, kurse nga shuma e grumbulluar vetëm Tatimi Mbi Vlerën e Shtuar derdhet në Buxhetin e Kosovës.
Reagimi edhe nga KMDLNJ
Në lidhje me Kartonin e Gjelbër kishte reaguar edhe KMDLNJ. “Për vite të tëra, vazhdon edhe tani, që bashkatdhetarët nga diaspora janë detyruar të paguajnë ‘haraçin’ gjatë hyrjeve në Kosovë me arsyetimin se, meqë Kosova nuk është pjesë e Kartonit të Gjelbër, janë të detyruar të zbatojnë këtë pagesë krejtësisht diskriminuese e që nuk bëhet në vendet e tjera” thuhet në njoftimin e KMDLN, transmeton albinfo.ch. Albinfo është munduar disa ditë radhazi që të kontaktojë me Byronë Kosovare të Sigurimit, por kontakti me ta ka qenë i pamundur dhe nuk ka marrë ndonjë përgjigje në lidhje me pyetjen se a janë mbuluar dëmet nga aksidentet e shqiptarëve të Zvicrës në Kosovë.
Sa paguhen dëmet
Numri i automjeteve të pasiguruara paraqitet si dukuri shqetësuese edhe për Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës. Drejtori ekzekutiv i kësaj shoqate, Sami Mazreku, ishte shprehur për mediat, se, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, kompanitë e sigurimeve kanë paguar rreth 22 milionë euro. “Nga 2001 deri në vitin 2018, komplet sektori ka paguar 400 milionë euro dëme nga sigurimet. Këtu hyjnë edhe pjesa e dëmeve të pasiguruara që janë barrë për kompanitë e sigurimeve. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2019, kompanitë e sigurimeve kanë paguar 22 milionë euro dëme, e që praqet një rritje prej 5.8 për qind krahasuar me vitin paraprak”, u shpreh Mazreku për REL.
Kosova duhet të bëhet pjesë eCoB-it
Që të aplikohet një ditë Kartoni i gjelbër në Kosovë dhe kështu të sigurohet mbulimi i dëmit në territorin e Kosovës, Kosova duhet të bëhet anëtare e CoB-it dhe e sistemit të Kartonit të gjelbër. Megjithatë, kjo nuk mund të arrihet para se të bëhet Kosova anëtare e OKB-së.
10 milionë në vit
Diaspora e Kosovës gjatë vizitave në vendlindje, në pikat kufitare paguajnë rreth 10 milionë euro në vit për Kartonin e gjelbër.
Aksidente të shumta me fatalitet
Vetëm gjatë muajve janar-shtator, 2019, sipas Policisë së Kosovës, 76 persona kanë vdekur në 66 aksidente, ndërsa 8.625 persona janë lënduar. Në shumicën e rasteve, sipas Policisë, fajtor është faktori njeri dhe tejkalimi i shpejtësisë së lejuar për ngasje.
Gjatë këtij viti, përkatësisht gjatë periudhës janar – shtator, janë regjistruar gjithsej 11.732 aksidente, që në një llogaritje të thjeshtë i bie rreth 43 aksidente brenda një dite.
Shtrenjtohet sigurimi i veturave
Me vendimin e ri të Bankës Qendrore të Kosovës, sigurimi i veturave do të jetë për 26 % më shtrenjtë.