Zv/drejtori që u shkarkua vetëm dy muaj më parë kthehet përsëri në Telekomin e Kosovës

Posta dhe Telekomi i Kosovës

Driton Halili që ishte shkarkuar vetëm dy muaj më parë nga posti i zëvendësdrejtorit në departamentin e shitjes në Telekomin e Kosovës për shkak të mos përmbushjes së objektivave, së fundmi është kthyer përsëri me post të rëndësishëm në këtë ndërmarrje.

Burime të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se Driton Halili është emëruar në postin e zëvendësdrejtorit në departamentin për Strategji dhe Zhvillim.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar Halilin përmes telefonit i cili ka thënë se me rregullore të Telekomit të Kosovës e ka të ndaluar të jap prononcime për media. Ai ka kërkuar që të kontaktohet zyra për media e kësaj ndërmarrje.

Reklama e sponzorizuar

“Me rregulloren e Telekomit të Kosovës e kemi të ndaluar të deklarohemi për media, të lutem çfarëdo që të intereson mund ta kontaktosh zyrën për media”, ka deklaruar ai.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me zëdhënësin e Telekomit të Kosovës, Menduh Abazin, por që i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Abazi ka thënë fillimisht të telefonohet pas 20 minutave, e më pas nuk e ka hapur telefonin.

“Thirrëm pas 20 minutave të lutëm se jam i zënë njëherë”, ka deklaruar Abazi, në momentin që Gazeta Sinjali është prezantuar në telefon.

Telekomi i Kosovës i kishte shkarkuar nga posti i zv/drejtorit të sektorit të shitjes, Driton Halilin dy muaj më parë, me arsyetimin se kjo gjë po bëhet me qëllim të ngritjes së performancës.

“E gjithë kjo me qëllim primar ngritjen e performancës financiare të korporatës”, thuhej në këtë komunikatë ku përveç Halili ishte shkarkuar edhe Blerim Zogaj.

Gazeta Sinjali kishte raportuar në fillim të këtij muaji se edhe Arsim Bilalli dhe Arben Shabani që ishin shkarkuar për mos përmbushje të detyrave, janë kthyer me poste të tjera në Telekomin e Kosovës.

Përderisa në të kaluarën Arsim Bilalli kishte udhëhequr sektorin e komunikimit publik dhe Arben Shabani me sektorin e shitjes, të dy janë ‘sistemuar’ tashmë në një pozitë tjetër nga bordi i Telekomit të Kosovës.

Arben Shabani ishte emëruar drejtor, ndërsa Arsim Bilalli, zv/drejtor i departamenti për Inovacion Partneritet dhe Ndërlidhje Institucionale, departament ky që nuk kishte ekzistuar në të kaluarën.