Pamja për rreth liqenit të Badovcit pritet të ndryshojë.
Kështu të paktën parashihet përmes një projekti i cili po mendohet të realizohet nga disa kompani në Kosovë në mënyrë që ta ndërtojnë një lagje buzë liqenit të Badovcit.
Një iniciativë e tillë s’po iu duket e duhur mijëra banorëve të tjerë. Në grupin e formuar në rrjetin social ‘Facebook’ që quhet ‘’Grupi për mbrojtjen e Liqenit të Badovcit’’, mbi 11 mijë qytetarë po kërkojnë që ky projekt të mos realizohet, shkruan Periskopi.
Këtij grupi brenda 24 orëve i janë bashkuar 11 mijë anëtarë që e kundërshtojnë një projekt të tillë duke u bazuar në idenë se ndërtimi i lagjes do t’i sillte dëme liqenit.
Ky projekt duket se nuk ka leje ndërtimore dhe as që ka aplikuar për një të tillë në Urbanizmin e Komunës së Prishtinës.
“Për leje nuk kanë aplikuar dhe për të marrë një të tillë, duhet pëlqim mjedisor nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, ka thënë kryetari Shpend Ahmeti.
Ministri në detyrë i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, përmes një postimi në Facebook ka shkruar se nuk ka informata ende për projektin në fjalë, ndonëse zotohet se do të veprojë në pajtueshmëri me ligjin.
“Dëshirojë të sigurojë të gjithë ata që janë shqetësuar nga ky lajm, se do të ketë zbatim të plotë të ligjit sa i përket ndërtimeve në zonat pranë akumulacioneve të ujit. Në informatat e para që i kam, investitori duhet t’i nënshtrohet edhe pëlqimit mjedisor dhe tek pastaj të definohet nëse i plotëson kushtet për mbrojtje të mjedisit dhe ujërave. Republika e Kosovës ka ligje mjaft të avancuara për ujërat dhe kërkohet vetëm zbatimi i plotë i tyre nga të gjitha palët e përfshira”, ka shkruar ai.
Matoshi thotë se te ky liqen, vitin e kaluar kanë lëshuar në funksion Impiantin për trajtimin e ujërave të zeza për pjesën që përfshin Mromorin dhe disa fshatra rreth tij..
Fytyra të ndryshme publike nga politika si dhe nga shoqëria civile kanë reaguar në lidhje me projektin në fjalë.
Asambleisti nga PSD, Nol Nushi thotë se ndërtimi i i lagjes do të ishte fatal meqenëse uji në Badovc përdoret për pije.
Ndër tjera, Nushi çuditet se si kompanitë e ndërtimit kanë marrë pëlqimin nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor për të ndërtuar lagjen.
Reagimi i plotë:
Me shqetsim pashë njoftimet në media dhe rrjete sociale për ndërtimin e një kompleksi të banimit në afërsi të Liqenit të Badovcit. Deri tani të vetmet informacione janë nga palët që kanë planifikuar ndërtimin në atë pjesë.
Që nga krijimi i Liqenit në vitet 60’ nuk ka ndodhur asnjë ndërtim në afërsi të tillë siç po planifikohet ky që po flasim. Përveç si burim i pazëvendësueshëm i ujit të pijshëm, ky liqen me veçoritë e tij është e vetmja hapësirë e tillë rekreative. Për vite të tëra ky liqen është shfrytëzuar nga të gjithë pa dallim për piknik, sport, kamping, vrapim, shëtitje, peshkim, pushim e aktivitete të ndryshme rekreativo-sportive.
Sipas informacioneve (të pakta), në një nga hapësirat më të bukura pranë liqenit, po planifikohet të ndërtohet një lagje elitare dhe ekskluzive. Ky veprim cënon karakterin e deritashëm publik dhe gjithpërfshirës të kësaj hapësire. Pasojë konkrete e këtij veprimi do të jetë fillimi përvetësimit të një resursi të veçantë natyror që deri tani ishte i qasshëm për të gjithë.
Ndonëse e thënë vetëm nga pala që planifikon ndërtimin, është tepër shqetësuese që Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor tashmë ka lëshuar një pëlqim për këtë ndërtim. Një çështje që do të duhej të ishte temë e debatit publik është kaluar në fshehtësi të plotë dhe më një nguti të çuditshme.
Ligjet e mangëta, rregulloret e paqarta nuk mund të jenë hapësirë për dëmtimin e Liqenit të Badovcit. Ministria përkatëse duhet ta shfuqizojë pëlqimin e dhënë. Nëse kjo nuk ndodhë, Komuna e Prishtinës përmes të gjitha mundësive ligjore dhe politike duhet të ndikojë që ndërtimi të mos ndodhë. Nëse ligjet lejojnë këso hapësira, duhet t’i ndryshojmë ligjin.
Tashmë janë me mijëra qytetarë që janë përfshirë aktivisht në këtë kundërshtim. Bashkë me qytetarët, asamblenë komunale dhe institucionet e tjera lokale duhet të bëjmë të pamundurën që të mos e lejojmë këtë ndërtim.
Kompania e ndërtimit, e cila ka disa rrokaqiej në Prishtinë “KAWA Group” dhe kompania “4M Group” kanë planifikuar që të ndërtojnë këtë lagje me shtëpi buzë Liqenit të Badocit.