Fillimi i vitit 2020 po karakterizohet me vazhdimin e thirrjeve nga Gjykata Speciale për kosovarët.
Në më pak se një muaj, Dhomat e Specializuara në Hagë u kanë dërguar thirrje për intervistim 13 ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për disa pa u bërë e ditur në çfarë cilësie. Numri i madh i thirrjeve, sipas OVL-UÇK-së nënkupton që shumë shpejt do të ngrihen edhe aktakuzat e para.
Për kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gjykata Speciale vazhdon të mbetet e papranueshme dhe e padrejtë.
Hysni Gucati thotë se edhe në rast se do të ketë aktakuza, ato janë të pabaza. Ai njofton se deri tani kanë mbërritur mbi 260 thirrje.
Kryetari i OVL-UÇK-së tregon se janë lajmëruar dy raste të cilët janë thirrur nga Specialja, e këta të fundit dëshmojnë se gjatë luftës nuk kanë qenë fare në Kosovë.
Krahas kësaj, Gucati deklaron se do të vazhdojnë të kundërshtojnë këtë gjykatë. Për mos vazhdimin e mandatit të Dhomave të Specializuara, njofton se do të ketë edhe protesta.
Ai kërkon nga legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës që të ndërmarrin hapa për mosvazhdimin e mandatit të Gjykatës Speciale.
Megjithatë, mbrojtësi ligjor i disa nga të intervistuarve nga Specialja, Arianit Koci thotë se mandati i Dhomave të Specializuara zgjat aq sa dëshiron Këshilli i Bashkimit Evropian. Ai thekson se është iluzion të mendohet se çështjet e krimeve të luftës përfundojnë për pesë vjet.
Hysni Gucati kërkon një gjykatë vendëse që të merret me krimet serbe në Kosovë, pasi që gjatë luftës në vendin tonë kanë ndodhur 460 masakra dhe ende nuk ka asnjë serb të dënuar.
Kjo gjykatë çoi vendin në zgjedhje, pasi kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, u ftua në Hagë në cilësinë e të dyshuarit nga Gjykata Speciale dhe për shkak të kësaj ftese ai dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit.
Specialja ftoi edhe ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin./kp