A ka nevojë për ndërhyrjen ndërkombëtare në arritjen e koalicionit?- Flasin nga LDK-ja

Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka folur për mundësinë e ndërhyrjes ndërkombëtare në realizimin e koalicionit mes partisë së tij dhe VV-së, shkruan Insajderi.

Mustafa për Gazetën Insajderi ka deklaruar se nuk ka nevojë për ndërhyrje ndërkombëtare dhe se nuk është diskutuar asnjëherë në tryezën e diskutimeve një opsion i tillë.

“Nuk është diçka që e kemi diskutuar apo shqyrtuar më parë. Nuk e ka propozuar askush më parë por nuk besoj që nuk kemi nevojë për ndërmjetësues ndërkombëtar, jemi dy parti që i kemi marrë mbi 400 mijë vota të qytetarëve të Kosovës, besoj që mund ta arrijmë marrëveshjen përmes grupeve tona negociuese”, ka deklaruar Mustafa.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka thënë se asnjëra nga dy partitë, nuk e ka propozuar e as përmendur një gjë të tillë.

Ditë më parë, Ish-shefi i misionit të OSBE-së, William Walker dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, kanë shkuar në zyret qëndrore të LDK-së, dhe janë takuar me krerët e kësaj partie.

Insajderi ka tentuar të marrë një qëndrim nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me ndikimin e ndërkombëtarëve për arritjen e koalicionit mirëpo, zyrtarët e saj kanë qenë të paqasshëm.