Administrata komunale e Podujevës bartet në objektin e ri me shtatë vjet vonesë

Janë bërë gati nëntë vjet prej kur ka filluar ndërtimi i objektit të ri të administratës komunale në Podujevë, por tek tash është përfunduar. Zyrtarët komunalë do të duhej të kalonin në objektin e ri të ndërtuar nga Komisioni Evropian në fillim të vitit 2013, ndërkohë që kjo ka ndodhur me shtatë vjet vonesë.

Pos mosmarrëveshjeve të Zyrës së BE-së në Kosovë me kontraktuesin e parë “Albes”, që kishin përfunduar në gjykatë, edhe punimet jocilësore e kanë përcjellë këtë objekt që ka ushtuar shtrenjtë edhe pas kontraktimit të kompanisë tjetër “Alba Construction”. Problemet me ventilim dhe ngrohje kanë bërë që të zvarritet përfundimi i kësaj ndërtese komunale. Zyrtarët komunalë thonë se tashmë janë sanuar këto defekte dhe është bërë transferimi i pothuaj gati të gjithë personelit në objektin e ri, shkruan sot Koha Ditore.

“Janë sanuar defektet e evidencuara dhe pothuajse i gjithë personeli i administratës komunale është vendosur në objektin e ri. Ky objekt ofron kushte më të mira për punë të zyrtarëve dhe për shërbime më efikase për qytetarët. Tashmë të gjitha drejtoritë dhe shërbimet komunale janë në të njëjtin objekt”, ka thënë zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Nazmi Elezi.

Reklama e sponzorizuar

Megjithatë, pakënaqësi ka edhe tash. Zyrtarë komunalë në kushte anonimiteti thonë se tash në një sallë punojnë 20-30 punëtorë komunalë të drejtorive të ndryshme dhe se, sipas tyre, në këtë rast cenohet privatësia e qytetarëve, sidomos e atyre me raste sociale, rrëfimin e të cilëve mund ta dëgjojnë të gjithë ata zyrtarë komunalë. Zëdhënësi Elezi thotë se në këto raste bisedat mund të zhvillohen në zyrat e drejtorëve ose të udhëheqësve të sektorëve.