Kompania sllovene Air Adriatic, në pronësi të biznesmenit Izet Rastoder, ka blerë Adria Airways-n për 45.000 euro.
Importuesi dhe shitësi i bananeve, si dhe zhvilluesi i pasurive të patundshme, themeloi Air Adriatic vetëm disa ditë pas bankrotimit të Adria Airways, në fund të shtatorit të vitit të kaluar.
Z. Rastoder më parë pati deklaruar se ai planifikon të përdorë Certifikatën e Operatorit Ajror të Adria (AOC) për të zhvilluar një linjë ajrore në sektorin e aviacionit privat dhe është në proces të marrjes së dy avionëve të vegjël privat.
Sidoqoftë, biznesmeni me origjinë malazeze, i cili u zhvendos në Ljubljanë më 1986, gjithashtu po konsideron mundësinë të krijojë një transportues me kosto të ulët me qendër në Ljubljanë.
Tri kompani morën pjesë në këtë ankand. Përveç Air Adriatic, pjesëmarrës ishin edhe Komforia, një biznes kroat i cili është i regjistruar edhe në Slloveni, si dhe Deal.Aero, një kompani e sapokrijuar në pronësi të ish-pilotit të Adria Airways, Dejan Slodej.
Të gjitha palët e përfshira paguan 4 mijë e 500 euro për të marrë pjesë në ankand. Por edhe pse publikisht disa here u deklaruan se do të blejnë Adria Airways dhe do ta pajisin atë me flotën me aeroplan Sukhoi Superjet 100, investitorët rusë nuk morën pjesë në procesin e shitjes.
Pasuritë e Adria Airways u shitën sot si një e tërë dhe ato përfshijnë Certifikatën e Operatorit Ajror të Adria (AOC), si dhe manuale të ndryshme, duke përfshirë ato për operacione, trajnime, mirëmbajtje, siguri, motin, trajtimin e pasagjerëve si dhe trajtimin e ngarkesave.
AOC e transportuesit është pezulluar deri më 30 shtator 2020, megjithatë, ai do të rikthehet pasi Air Adriatic të përmbushë disa detyrime të përcaktuara nga Agjencia Sllovene e Aviacionit Civil, ndër të cilat është edhe posedimi i avionëve operacional.
Kompania e Z. Rastoder gjithashtu do të duhet të marrë përsipër një mori detyrimesh. Midis tyre është edhe përmirësimi i çdo mospërputhje që u shfaq pas revokimit të AOC të linjës ajrore dhe fillimit të procedurave të falimentimit. Një AOC sllovene i jep të drejta mbajtësit të saj të mirëmbajë shërbime tregtare nga Sllovenia dhe vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian. /Buletini Ekonomik/