Nënkryetari i parë i LDK-së, Agim Veliu ka deklaruar sot se oferta e tyre për Vetëvendosjen është e qartë dhe se janë duke pritur që të deklarohen nga Lëvizja Vetëvendosje, raporton Gazeta Express.
Veliu ka deklaruar se në mbledhjen e sotme të kryesisë nuk do të ketë diçka lëvizje sa i përket ndryshimit të qëndrimit për koalicion.
“Ne kemi dhënë ofertën tonë dhe jemi në pritje që LV të deklarohet përndryshe diçka tjetër nuk kemi. Është çështje e kryesisë sot nuk e di çka do të vendosë kryesia, oferta jonë është ajo çka është dhënë është parimore, sigurisht që edhe kryesia e LDK do të qëndrojë aty”, thotë nënkryetari i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Veliu këto komente i ka bërë në 14 vjetorin e ndarjes nga jeta e ish-presidentit historik Ibrahim Rugova, pasi që me një pjesë të partisë kanë bërë homazhe te varri i tij.
“E kujtojmë arkitektin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës me të cilin bota demokratike gati dy dekada e personifikoi Kosovën”, thotë Veliu.
I pyetur për marrëveshjen që të nisin fluturimet në mes të Prishtinës dhe Beogradit, Veliu thotë para mediave që e përkrahin çdo lëvizje që ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Po çdo lëvizje pozitive që çon ka normalizimi i marrëdhënieve me fqinjët ne e vlerësojmë si pozitive dhe sigurisht që ne kontribuojmë në këtë çështje”, deklaroi nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës./GazetaExpress/