Ahmeti: Pas vendimit të MMPH-së, herën e tretë lëshuam kushtet e ndërtimit të lagjes në Badoc

Dy herë, Komuna e Prishtinës ka refuzuar t’u lëshojë kushtet e ndërtimit kompanive “Kawa Group” dhe “4M Group”, të cilat po planifikojnë ndërtimin e një lagjeje afër Liqenit të Badocit.

Kryetari Shpend Ahmeti, ka thënë se pas refuzimeve, pala është ankuar në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe, sipas tij, Komuna nga kjo e fundit është obliguar të marrë vendim për lëshim të kushteve, raporton KTV.

Reklama e sponzorizuar

Ahmeti ka mohuar se kushtet e ndërtimit të këtij projekti janë lëshuar në kundërshtim me vendimin e Qeverisë të vitit 2013. Ai ka thënë për KTV-në se së shpejti do t’i publikojnë të gjitha vendimet, për të shmangur teoritë e konspiracionit.

“Së shpejti do t’i publikojmë të gjitha vendimet. Ka dy vendime për refuzime kushtesh dhe pastaj vendimi i shkallës së dytë që na obligon t’i lëshojmë kushtet dhe që para lejes të kërkojë pala pëlqimin nga ministria për vendimin që e kemi bërë. Kushtet nuk vlejnë në qoftë se nuk merret pëlqimi nga Ministria për Badocin. Por, meqenëse gjithçka po merret pjesërisht dhe po ka teori të konspiracionit, do ta publikojmë procesin disa vjeçar, komplet”, ka thënë Ahmeti.

Kohavisioni ka kontaktuar me ministrin në detyrë të Mjedisit, Fatmir Matoshi, për të konfirmuar nëse ministria ka obliguar komunën t’i lëshojë kushtet e ndërtimit, por ai nuk ka dashur të flasë, duke thënë se për këtë duhet të pyetet zyra për media e Ministrisë.

Matoshi, gjatë së hënës ka siguruar se as kompanitë në fjalë, e as pronari i tokës, nuk kanë aplikuar për të marrë pëlqim mjedisor për këtë projekt.

“Gjithashtu, në bazë të të gjitha të dhënave që kemi në MMPH, ju sigurojmë se as kompanitë në fjalë dhe as pronari i tokës, nuk ka aplikuar dhe nuk është pajisur me pëlqim mjedisor nga MMPH-ja. Dëshiroj të ju siguroj juve dhe të gjithë qytetarët e vendit se Inspektorati i MMPH-së dhe departamentet tjera përgjegjëse brenda MMPH-së, do të jetë aktive për këtë çështje dhe do të kujdesen që të mos ndodh asnjë veprim, i cili mund ta cenojë zonën e mbrojtur të Liqenit të Badocit dhe kualitetin e ujit nga kushdo qoftë”, ka thënë Matoshi.

Shkalla e dytë, të cilën e ka përmendur kryetari Shpend Ahmeti, është Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Ai ka sqaruar se kur palët janë të pakënaqura me vendimet e drejtorive që kanë të bëjnë me planifikim e urbanizëm, ankohen te kjo ministri, vendimet e së cilës janë obligative për komunat.

Në anën tjetër, më shumë se 6 mijë e 500 qytetarë kanë nënshkruar peticionin online kundër këtij projekti, me arsyetimin se ai dëmton liqenin, nga i cili furnizohen rreth 200 mijë banorë të kryeqytetit.