Gjykata e Apelit i ka shpallur të paqena “faktet” që i kishte listuar Nenad Rikalo sa ishte ministër i Bujqësisë, si arsye për ta shkarkuar nga pozita e kryeshefit Elhami Hajdarin, njeriun që paraprakisht kishte refuzuar t’ia përcillte jashtëligjshëm mbi 80 mijë euro një biznesi me bazë në Prizren, me të cilin kishte raport afarist Biljana Rikalo, bashkëshorte e këtij ish-ministri serb.
Pas dy vjetësh jashtë zyrës, Hajdarit i njihet e drejta që të kthehet në pozitën ku Qeveria e ka emëruar Ekrem Gjokajn, kundër të cilit në fundvit Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në aktvendimin e Gjykatës së Apelit, i protokolluar më 13 janar, është refuzuar ankesa që Ministria e Bujqësisë e kishte bërë kundër një aktvendimi të Gjykatës Themelore, që i jepte të drejtë Hajdarit dhe që kërkonte kthimin e tij në pozitën e kryeshefit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), si dhe për kompensimin e të gjitha pagave.
Apeli ka rikujtuar se Rikalo e kishte pezulluar nga puna Hajdarin në 2018-n, me arsyetimin se ndaj tij ishte duke u zhvilluar procedurë penale nën dyshimin për kanosje. Ministria nuk kishte mundur ta dëshmonte me shkresë zyrtare këtë arsyetim. Ndërkaq, vetë prokuroria e kishte mohuar se zhvillohej një procedurë e tillë.