Si të orientohen “flukset e qëndrueshme të parave të diasporës” në rritjen ekonomike të Kosovës?

Për të “nxitur flukset e qëndrueshme të diasporës”, siç parashikon BB-ja, duhet doemos të ndërpritet dominimi i paluajtshmërive në investimet e diasporës (blerja e banesave, shtëpive e tokave, ka përbërë deri tash 60 deri në 70 për qind të investimeve të huaja në Kosovë) dhe të bëhet orientimi i këtyre parave kah projektet që prodhojnë të mira materiale, vende të shumta pune dhe qarkullim solid parash. Ndërsa, dihet, paratë e diasporës që vijnë në Kosovë, ndër vite, asnjëherë nuk kanë qenë të pakta. Sipas të dhënave të mëhershme të Bankës Botërore, që nga shpallja e pavarësisë, në Kosovë nga mërgata janë dërguar mbi 13 miliardë euro.

Mehmet GJATA

Institucione të ndryshme financiare ndërkombëtare, por edhe diplomatë e ekspertë me njohuri solide për zhvillimet ekonomike në Kosovë, vazhdojnë të parashikojnë si mundësi reale për ta përshpejtuar zhvillimin ekonomik të vendit tonë në vitet në vijim me investimet dhe orientimin e remitancave, gjithnjë e në rritje të diasporës në funksion të rritjes ekonomike. Kjo nënkupton që paratë e mërgimtarëve tanë të shpenzohen në projekte zhvillimore atraktive edhe për gjenerim të vendeve të punës edhe për tregun ndërkombëtar, sidomos për atë rajonal, në vend që të orientohen kryekëput sikundër deri më tash në blerjen e banesave dhe aty-këtu patundshmërive të tjera të ndryshme.

Sipas Raportit të ri Ekonomik të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, të bërë publik ditë më parë, aktiviteti ekonomik në rajon pritet të rritet me 3.2 për qind këtë vit, ose 0.2 pikë përqindje më shumë se rritja e parashikuar nga Banka Botërore në edicionin e mëparshëm të raportit, dhe të vijojë me një rritje prej 3.5 për qind në vitin 2025. Në këtë Raport janë përfshirë parashikimet individuale për gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor: Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut dhe Serbi.

“Rritja e PBB-së në Kosovë, sipas BB-së, pritet të përshpejtohet në 3.7 për qind në vitin 2024, e mbështetur nga stabilizimi i vazhdueshëm i çmimeve ndërkombëtare dhe më vonë do të rritet drejt potencialit të Kosovës prej rreth 4 për qind, e nxitur nga flukset e qëndrueshme të diasporës dhe një rritje gradual e investimeve”, thuhet ndër të tjera në Raportin e BB-së, ku sugjerohet se “për të përshpejtuar konvergjencën ekonomike me BE-në, reformat në sektorët fiskal, të qeverisjes, arsimit dhe energjisë duhet të jenë prioritet”.

Reklama e sponzorizuar

Edhe ambasadori i ri i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, në një intervistë për një medie të vendit, ka potencuar mundësitë e investimeve nga diaspora jonë.

“Para se të vija këtu, takova disa njerëz të mirë në diasporën e Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe kompani, të cilët janë të përkushtuar të bëjnë biznes këtu”, ka thënë ambasadori britanik.

Sipas tij, ka shumë potencial dhe shumë vullnet të mirë dhe unë jam i përkushtuar të punoj me qeverinë dhe sektorin privat për ta shfrytëzuar atë maksimalisht. Dhe, për të “nxitur flukset e qëndrueshme të diasporës, siç parashikon BB-ja, duhet doemos të ndërpritet dominimi i paluajtshmërive në investimet e diasporas (blerja e banesave, shtëpive e tokave ka përbërë deri tash 60 deri në 70 për qind të investimeve të huaja në Kosovë) dhe të bëhet orientimi i këtyre parave kah projektet që prodhojnë të mira materiale, vende të shumta pune dhe qarkullim solid parash”.

Ndërsa, dihet, paratë e diasporës që vijnë në Kosovë, ndër vite, asnjëherë nuk kanë qenë të pakta. Përkundrazi, ato kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në shuma kolosale për Kosovën e vogël dhe për kosovarët numerikisht të paktë. Sipas të dhënave të mëhershme të Bankës Botërore, që nga shpallja e pavarësisë, në Kosovë nga mërgata janë dërguar rreth 13 miliardë euro.

Sipas BB-së, pjesëmarrja e remitencave në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Kosovës është rreth 20 për qind. Ndërsa, vlerësohet se diku rreth 70 për qind e parave të diasporës që arrijnë në Kosovë, shpenzohen për buxhete familjare dhe remitencat janë ndihmesë e çmueshme për mbijetesën e shumë familjeve kosovare.

Me fjalë të tjera, është e padiskutueshme se paratë e mërgatës sonë janë burim i pashterrshëm i të hyrave për Kosovën e vobektë dhe të brishtë tani e më shumë se dy dekada dhe infuzion financiar aq i nevojshëm për shumë qytetarë të këtij vendi.

Remitencat për Kosovën, me fjalë të tjera, ishin për shumë vite mbijetesa e kosovarëve të papunë, ishin dhe vazhdojnë të jenë zhvillimi ekonomik, zbutje evidente e pasojave të varfërisë, por edhe shtysë me ndikim në mbajtjen e një niveli modest të mirëqenies sociale. Në fakt, përgjatë viteve, paratë e diasporës, që nga paslufta vazhdojnë të përbëjnë burimin ndër më të mëdhenjtë të të ardhurave në Kosovë.

Ka vite që sipas të dhënave të Bankës Qendrore, remitancat kanë kapur vlerën e mbi 1.2 miliardë eurove. Më 2023, po sipas të dhënave të BQK-së, në Kosovë kjo shifër e remitancave është tejkaluar goxha shumë. Thjesht, Kosova ka varësi të madhe nga paratë e mërgatës sonë që tashmë numërkishit s’është më e paktë në Gjermani, Zvicër, Itali dhe Austri, shtete këto ku kosovarët kryesisht jetojnë në numër më të madh, dhe nga paratë e mërgatës sonë të shtrirë gjithandej në shtetet të tjera të Europës dhe përtej saj. Mirëpo, megjithë këto prurje kaq të shumta parash, është për të ardhur keq se si akoma nuk po jetësohen premtimet e autoriteteve se “mjetet e diasporës duhet të orientohen në jetësimin e projekteve investuese, dhe në këtë kuptim, duhet inkurajuar mërgatën tonë për të investuar paranë e tyre në vendlindje”.

Edhe më tutje, në Kosovë nuk ka ndonjë projekt madhor të realizuar me kapital të diasporës, as ndonjë kapacitet ekonomik-prodhues atraktiv dhe që sjellë të hyra solide, dhe ç’është më keq, nuk as ndonjë nismë për të investuar paranë e mërgatës në këso projektesh.

Investimet e diasporës, gjegjësisht remitencat, siç u tha më lartë, deri tash shquhen në angazhimet e tyre me shumicë absolute në paluajtshmëri dhe më konkretisht në blerjen e banesave në qytete të ndryshme të Kosovës dhe më së shumti në kryeqytet.

As Qeveria aktuale e Kosovës, sikundër pararendëset e saja, nuk u tregua praktikisht këmbëngulëse deri në fund, për të insistuar në krijimin e konditave joshëse për ta investuar këtu paranë e bashkëatdhetarëve tanë, as për të krijuar instrumente praktike për t’i orientuar ato në ndërtimin e potencialeve atraktive zhvillimore. Thjesht, disa parashikime të kësaj Qeverie, sikur ajo për t’u emetuar Bono thesari, të dedikuara për diasporën, nuk u dëshmuan se i bindën edhe aq bashkëkombasit tanë për të investuar paranë e tyre në vendlindje.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në Forumin e Bizneseve të Diasporës, të mbajtur vjet në Prishtinë, kishte bërë të ditur se “janë duke punuar që mërgata të jetë pjesë integrale e zhvillimit të Kosovës, atij shoqëror, ekonomik e kulturor dhe janë duke zhvilluar një dialog për të përfaqësuar sa më mirë interesat e tyre në Strategjinë për mërgatën që pritet të finalizohet këtë vit”.

Dhe Kurti, ishte ndër të parët që nuk e ftoi diasporën për të investuar në emër të patriotizmit, atdhedashurisë, dashurisë për vendlindjen, siç ishte praktikë thuaja standarde e deritvonshme, në të gjitha rastet e takimeve me përfaqësues të mërgatës. Ai, edhe në disa raste të tjera, ftoi diasporën drejtëpërdrejtë, duke ua bërë të ditur se “investimi në Kosovë paraqet një mundësi përfitimi si kurrë më parë”, duke ua përkujtuar diasporës se “Kosova ka nevojë për ta, për dijen dhe përvojën e tyre.

“Jemi duke shikuar mënyrat si ta përdorim dijen dhe eksperiencën e marrë jashtë për të zhvilluar vendin…. Jemi në situatë kur kemi nevojë jo më pak për dijen, shkathtësitë, përvojën, etikën e punës së mërgatës e jo vetëm për financat e bazën e tyre materiale”, kishte thënë Kurti.

Por, po duket, se kjo ftesë dhe i gjithë ky premtim i Kurtit mbeti më shumë vetëm fjalë. Akoma, pos blerjes së patundshmërive dhe banesave, janë shumë të rralla projektet pikante prodhuese dhe joshëse nga diaspora. Shpallja e Konzorciumit “Orllati” (pronë e mërgimtarëve tonë që afarojnë suksesshëm në Europë), bashkë me kompani nga Gjermania dhe Kosova – fitues të ankandit elektronik diellor prej 100 megavatësh, gjithsesi është një nismë e mirë e joshjes së mërgimtarve tonë për të investuar në vendin e tyre. Por, mundësitë janë shumë më të mëdha për të angazhuar më shumë kapitalin e diasporës në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Kosova tashmë gjendet në periudhën thuaja nismëtare të zbatimit të tranzicionit energjetik.

Ngritja e kapaciteteve të reja të energjisë së rinovueshme, qoftë sosh solare, qoftë në bazë të erës, është e vetmja rrugë e jetësimit të këtij tranzicioni. Ndërkohë, dihet sa atraktive ekonomikisht janë impiantet për prodhim të energjisë së ripërtëritshme. Në këtë sekor janë mundësitë e pafundshme të investimeve të diasporës, për të qenë të dy palët të fitueshme.

Projektet e ndërtimit të kapaciteteve të energjisë së rinovueshme (qoftë nga era, qoftë sosh solare), nuk janë tepër të kushtueshme dhe aq, sa të mos kishin mundësi financiare mërgimtarët e pasur të Kosovës, qoftë individualisht, ose aksioneve të përbashkëta financiare të disa mërgimtarëve të investojnë. Prandaj, pse, autoritet kosovare nuk insistojnë më shumë për të nxitur mërgimtarët tanë për të investuar në kapacitete të reja të energjisë së gjelbër?

Në rrethanat aktuale, kur Kosova është nën masat ndëshkuese të BE-së, për shkak të zhvillimeve politike në veri të vendit, zhvillimi i Republikës është i lidhur dhe i ndërvarur drejtpërdrejtë dhe në masë relativisht të madhe me paranë e mërgatës. Prandaj, duhet të ftohet vazhdimisht mërgata jonë institucionalisht, pa humbur kohë, për të investuar në vendin e tyre, gjithsesi duke krijuar ligjërisht kushtet e favorshme për investimin e parasë së mërgatës sonë. Tashmë është e kuptueshme se nuk mjaftojnë vetëm ftesat dhe retorika entuziaste në takimet me mërgimtarët. Diasporës, sikundër çdo investitori të jashtëm, i duhet garanci për qenë i bindur se investimi i tyre do të jetë qind për qind i sigurtë dhe fitimprurës. Këtë, zyrtarët mund të afrojnë pa hamendësime nëse do të ekzistonte vullneti i sinqertë politik. /Buletini Ekonomik/