Armata e qeverisë “Haradinaj” pas shpenzimit të më shumë se 6 milionë eurove nga fondi rezervë, në mbledhjen e djeshme të Qeverisë ndau edhe 60 mijë euro për familjen e ish-presidentit Ibrahim Rugova. Kreu i Qeverisë në detyrë Ramush Haradinaj ndër të tjera emëroi edhe Lulëzim Rafunën në krye të Ministrisë së Financave, si dhe Magbule Shkodrën si ministre të Zhvillimit Rajonal, shkruan sot gazeta Zëri.
Ndonëse nga muaji korrik i vitit të kaluar kreu i ekzekutivit Ramush Haradinaj kishte dhënë dorëheqje nga pozita e tij, ai po vazhdon avazin e marrjes së vendimeve, të cilat e dëmtojnë rëndë buxhetin e brishtë të Kosovës. Të mërkurën Haradinaj bashkë me kabinetin e tij kanë aprovuar Rregulloren për Pagat, shtesat mbi pagë, kompensimet tjera në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe kanë ndarë 57 mijë e 944 euro për pagesën e punonjësve të angazhuar në rezidencën Ibrahim Rugova për periudhën janar – dhjetor 2020.
Kabineti qeveritar ndër të tjera ia ka vazhduar mandatin drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë për Shoqërinë e Informacionit dhe atij të Shërbimit Gjeologjik të Kosovës me nga tre vjet. Në po këtë mbledhje kreu i Qeverisë Ramush Haradinaj ka emëruar ministrin e ri të Financave Lulëzim Rafunën, ministren e re të Zhvillimit Rajonal Magbule Shkodrën, si dhe sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Integrimit Evropian Kushtrim Cukajn.
Përveç këtyre vendimeve qeveria “Haradinaj” ka aprovuar edhe reformat në ekonomi për vitin 2020, si dhe ka iniciuar fillimin e procedurave ligjore për themelimin e zonës ekonomike zvicerane. Ndërkohë deri më tani qeveria “Haradinaj” ka shpenzuar më shumë se 6 milionë euro nga fondi rezervë i buxhetit për këtë vit. Ky fond, sipas Ligjit për Buxhetin, mund të shpenzohet vetëm në rastet urgjente dhe të paparashikueshme.
Lulëzim Rafuna ministër i Financave, Magbule Shkodra ministre e Zhvillimit Rajonal
Pas dorëheqjes së Bedri Hamzës nga posti i ministrit në detyrë të Financave, kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj ka vendosur që në këtë post ta vërë ish-këshilltarin e Hamzës, Lulëzim Rafunën. “Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës në mbështetje të Nenit 94 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke u bazuar në Nenin 6, paragrafi 4.1, të Rregullores për Fushat e për Përgjegjësinë Administrative të Zyrës së Kryeministrit, merr vendim që z. Lulëzim Rafuna të emërohet ministër në detyrë i Ministrisë së Financave”, thuhet në vendimin e Qeverisë.
Para se të emërohej në këtë pozitë Lulëzim Rafuna ishte këshilltar i ish-ministrit Bedri Hamza. Ndërkohë Hamza javë më parë kishte dhënë dorëheqje nga pozita si ministër, pas zgjedhjes si deputet i Kuvendit të Kosovës. Haradinaj të mërkurën pas mbledhjes së Qeverisë ka emëruar edhe Magbule Shkodrën si ministre në detyrë të Zhvillimit Rajonal. Këtë pozitë deri më tani e ka mbajtur Rasim Demiri.
Keqpërdorimi i fondeve buxhetore, gabim i Haradinajt
Vendimet e fundit të kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj për të ndarë mjete të caktuara buxhetore në kauza të ndryshme po shihet si gabim i madh i tij. Arton Demhasaj nga “Çohu” i ka thënë “Zërit” se ndarja e tillë e mjeteve buxhetore paraqet keqpërdorim të taksave të qytetarëve të Kosovës.
“Sa u përket vendimeve për ndarjen e fondeve është problematike mënyra e shpenzimit të parave që po bëhet nga Qeveria në detyrë. Kjo mënyrë nuk është e duhur as nëse Qeveria do të ishte me kompetenca të plota, që paratë e taksave dhe të buxhetit të Kosovës të shpenzohen në vendime të tilla. Këtu përjashtim bëjnë situatat e jashtëzakonshme, kur me të vërtetë duhet të ndahen mjete”, ka thënë Demhasaj.
Ndërkohë të mërkurën Qeveria e Kosovës ndër të tjera i ka rekomanduar presidentit të Republikës së Kosovës të autorizojë ministrin e Financave për nënshkrim të marrëveshjes së kredisë mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe “Unikredit Bank Austria AG” për financimin e projektit “Krijimi i qendrave e-Testuese dhe përmirësimi i mëtutjeshëm i shërbimeve të e-Arsimit për arsimin parauniversitar në Kosovë”.
Shuma e kredisë së negociuar është 4,998,000 euro (katër milionë e nëntëqind e nëntëdhjetë e tetë mijë euro). Edhe vendimi për aprovimin e nismës për lidhjen e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë në fushën e transportit rrugor ndërkombëtar të udhëtarëve dhe të mallrave është miratuar në mbledhjen e djeshme të Qeverisë.