Sigurisht që secilit prej nesh i ka rënë që së paku njëherë të marr kredi në banka. Mirëpo, jo të gjithë janë të informuar sa duhet rreth informatave që bankat duhet t’i shpalosin për qytetarët, përcjell Buletini Ekonomik.
Zakonisht, bankat shpalosin normën nominale të kredisë, por kjo nuk është e tëra. Ajo që ju duhet të kërkoni nga banka me rastin e marrjes së kredisë është informata mbi normën efektive të interesit, e cila përfshin edhe shpenzimet administrative dhe tarifa tjera që aplikohen.
Bankat në Kosovë janë të obliguara të shpalosin dhe të vënë në dispozicion për klientët listën e çmimeve për produktet dhe shërbimet që ato i ofrojnë. Bazuar në Ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve çmimet e paraqitura duhet të jenë përfundimtare, ku në rastin e sektorit bankar sipas Rregullores për normën efektive të interesit dhe kërkesat për shpalosje duhet të publikohet norma efektive e interesit si indikator i kostos totale të kredisë.
Këto lista të çmimeve dhe tarifave duhet të jenë të shtypura në të gjitha degët e bankave si dhe të publikuara në ueb-faqet e tyre. /Buletini Ekonomik/